Gazetare: Andrea Çobanova
Trendi i rritjes së çmimeve të ushqimeve nuk do të ndalet në muajt në vijim, parashikon Organizata Botërore e Ushqimit. Çmimet globale të ushqimeve arritën një rekord të lartë në shkurt, duke u rritur 3.9 për qind krahasuar me janarin. Rritja më e madhe është tek produktet e qumështit dhe vaji i gatimit. FAO thotë se presioni i çmimeve do të jetë edhe më i madh, sepse kërkesa është rritur, por ka edhe varësi të vendeve nga produktet e Ukrainës dhe Rusisë.
“Çmimet e ushqimeve, të cilat janë rritur që nga gjysma e dytë e 2020-ës, arritën një maksimum historik në shkurt të vitit 2022, për shkak të kërkesës së lartë, kostove të hyrjes dhe transportit dhe porteve të mbyllura. Çmimet globale për grurin dhe elbin, për shembull, janë rritur me 31%, çmimet e vajit të rrepës, dhe vajit të lulediellit janë rritur me më shumë se 60%. Trendi rritës i çmimeve mund të vazhdojë deri në vitin e ardhshëm”, thonë nga Organizata Botërore e Ushqimit.
Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë rritje të çmimeve me pakicë për 8,6 për qind krahasuar me muajin janar. Rritjen më të madhe e kanë vaji ushqimor dhe buka. Prodhuesit e vajit për gatim thonë se askush nuk mund ta dijë, nëse çmimi do të vazhdojë të rritet, sepse nafta në bursat botërore po ndryshon dita ditës.
“Sa i përket çmimeve, unë e di dje se sa është nafta bruto në tregjet botërore, sot nuk e di, atë të nesërmen askush nuk e di se sa do të jetë. Aktualisht blejmë rreth 2350 euro për ton naftë bruto. A do të jetë ajo 2400, 2500 nesër apo më lirë, nuk mund t’ju përgjigjem”, u shpreh Simon Naumoski-Biznesmen.
Ndërkohë, vendi është në pritje të sasive të porositura të grurit dhe misrit nga Serbia, si dhe importin e vajit për gatim dhe vajit të papërpunuar drejt vendit tonë. Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, pret që Qeveria e Serbisë në ditët në vijim teknikisht ta heqë ndalimin e eksporteve në vendin tonë për t’i dorëzuar sasitë e nevojshme për ekonominë. /Alsat.mk