Kanë kaluar pothuajse një javë nga zbatimi i referendumit në vend, Hyrja në NATO dhe BE e Maqedonisë është prioritet, nga i cili nuk heqin dorë as pushteti, as shumë organizata ndërkombëtare. Maqedonisë, siç theksohet nuk i nevojiten zgjedhje të parakohshme, por zbatim i Marrëveshjes me Greqisë me sigurimin e dy të tretës së shumicës në Kuvend.
Eurokomisari për politikë të fqinjësisë dhe zgjerim Johanes Han konsideron se nuk nevojiten zgjedhje të parakohshme parlamentare në Maqedoni, por duhet të shfrytëzohet mundësia të sigurohen dy të tretat e shumicës në Kuvend për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.
Në deklaratën për gazetën austriake “Kurir”, Han ka thënë se këtë porosi veçmë ia ka përcjellë kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Zgjedhjet e reja do të jenë stërzgjatje e rrugës drejt fillimit të negociatave për qasjen e IRJM-së në BE, e planifikuar në verë vitin e ardhshëm”, ka thënë Han.
Han theksoi se nuk mund të thuhet se ka qenë i pasuksesshëm.
“E pazakontë është në referendum të merret mbështetje prej 94 për qind, por të dalin vetëm 36.8 për qind e votuesve, edhe atë pasi opozita padyshim ishte e suksesshme në bojkotimin”, ka thënë eurokomsari.
Han mendon se në Kuvend mund të sigurohet dy të tretat e shumicës.
“Nevojiten tetë apo nëntë vota nga opozita dhe ajo patjetër të jetë e realizuar. Të gjithë thonë se duan anëtarësim në BE dhe NATO duke përfshirë edhe opozitën, dhe atëherë patjetër të paguani çmimin e kësaj zgjidhje. Bëhet fjalë për zgjidhje që është në interes të vendit, jo të partive apo poltikanëve. Dhe në atë rast si mund të sigurohen votat? Unë besoj më kombinimin mes racionales dhe asaj ballkanase”, ka thënë komisari për zgjerim Johanes Han.
Maqedonia për momentin gjendet në një periudhë shumë vendimtare pas referendumit të javës së kaluar. Duhet të sillet vendim për ardhmërinë e vendit dhe atë afatgjatë. Ka ardhur koha kur opozita dhe Qeveria duhet të mundohen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, porositi sot në Shkup deputeti i Bundestagut gjerman Torsten Fraj.
“Unë thjesht e kuptoj atë që njerëzit në Maqedoni e kanë të vështirë sa i përket Marrëveshjes me Greqinë. Ju kuptoj mirë sepse bëhet fjalë kryesisht për identitetin kombëtar. Megjithatë, konsideroj se është e rëndësishme që të shqyrtohen alternativat dhe mundësitë. A është e mundshme të arrihet Marrëveshje më e mirë, a mund të shkohet në rrugën e integrimeve në BE dhe në NATO pa këtë Marrëveshje. Nëse jemi të sinqertë, më duket se duhet të themi se mundësi të tillë nuk do të ketë nëse nuk arrihet Marrëveshja. Ai është vendim i popullit të Maqedonisë dhe vendim të cilin duhet ta sjellë Kuvendi i Maqedonisë”, theksoi Fraj në forumin e dytë midis Maqedonisë dhe Gjermanisë “Ndërtojmë ura – politika dhe ekonomi”, i cili u mbajt sot.
Sipas tij, në këtë moment duhet të sillet vendim për ardhmërinë e vendit dhe se ka ardhur koha kur opozita dhe Qeveria duhet të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët politike.
“Nuk bëhet fjalë për atë se deputetët individualë të manipulohen, por bëhet fjalë për të arritur më të mirën për shtetin. Nga pikëpamja ime konsideroj se Qeveria dhe opozita duhet së bashku të gjejnë zgjidhje të mirë për të mirën e vendin”, ju porositi Fraj politikanëve të Maqedonisë në Shkup.
Dalja e ulët në referendum është reflektim i lodhjes gjithnjë e më të madhe prej politikës në Maqedoni. Shumë qytetarë janë thjeshtë të lodhur prej të gjitha kontesteve në politikë, deklaroi përfaqësuesi i fondacionit “Konrad Adenauer” në Maqedoni, Johanes Rai sot në Forumin e Maqedonisë dhe të Gjermanisë në Shkup “Ndërtojmë ura – politika dhe ekonomi”.
“Për 3,5 vjet jam në Maqedoni dhe kam pasur mundësi të njoftoj shumë persona. Përshtypja ime është se gjithnjë e më shumë qytetarë nuk kanë dëshirë t’i dëgjojnë lojërat e politikanëve dhe të kërkojnë atë që kërkohet prej tyre “ose je me ne ose je kundër nesh”, thotë Rai.
Thekson se shumë prej qytetarëve të Maqedonisë vendosën ta braktisin shtetin.
“Treqind mijë qytetarë të Maqedonisë jetojnë jashtë vendit, megjithatë ka edhe numra të tjerë se ata janë ndoshta 400 mijë apo gjysmë milionë. Askush më saktë nuk e di numrin e qytetarëve të zhvendosur nga Maqedonia”, theksoi Rai.
Ka ardhur koha, thotë ai, të ndalojë ky largim i inteligjencës, ndërsa për këtë është nevojshme të ekzistojë sistem politik dhe institucione të cilat funksionojnë.
“Mendimi im është se tani pas referendumit nuk janë të nevojshme zgjedhje të reja. Ajo që është e nevojshme është regjistrimi dhe Listë zgjedhore e korrigjuar. Më falni që do ta them edhe këtë, por është habi që edhe kryetari i Kuvendit nuk mund të gjendet në Listën zgjedhore dhe nuk mund të votojë në referendum”, thotë Rai.
Ambasadori gjerman në Maqedoni, Tomas Gerberih, nga ana tjetër, bëri thirrje opozita të mos e bllokojë procesin dhe të gjendet zgjidhje në Kuvend. Tha se personalisht shpreson se opozita do të kyçet në proces dhe nuk do ta largojë vendin nga Bashkimi Evropian dhe NATO.
Ambasadori Gerberih shpreh keqardhje që dalja në referendum ka qenë vetëm 36 për qind por, siç theksoi, prononcimi për referendumin ka qenë konsultativ dhe jo i obligueshëm dhe prandaj procesi duhet të vazhdojë në institucione.
Marrëveshja e Prespës kuptohet se është gjallë. Të dyja palët, edhe IRJM edhe Greqia, janë të vendosur që të luftojnë që marrëveshja të hyjë në fuqi, thotë zëdhënësi i Qeverisë greke dhe ministri pa dikaster, Dhimitris Xanakopulos në intervistën për radion greke “Njuz247”.
Xanakopulos e ka përsëritur qëndrimin e MPJ-së greke se rezultati nga referendumi është kontradiktor, por shtoi se “nëse nuk gabon, referendumi kishte jehonë të madhe nga për shembull jehona në zgjedhjet presidenciale”.
“Mendoj se është në drejtim absolut të drejtë nisma e zotit Zaev, diskutimin ta dërgojë në Kuvend dhe të përpiqet ta formojë shumicën e nevojshme për revizionin kushtetues. Ne i përcjellim ngushtë ngjarjet, e mbështesim përpjekjen që ta ndryshojë Kushtetutën që të mundet edhe Qeveria greke ta ratifikojë marrëveshjen që të hyjë në fuqi”, tha zëdhënësi i Qeverisë greke.
Lidhur me pozicionet e partnerit qeveritar koalicionues, Panos Kamenos, Xanakopulos sqaroi se nuk ekziston shkas për shqetësim për të ardhmen e Qeverisë.
Кryeministri Zoran Zaev, në intervistën e parë të dhënë pas referendumit për BHV1, përsëriti se partitë qeveritare nuk duan zgjedhje, por nëse opozita tenton ta pengojë ardhmërinë e shtetit drejt BE-së dhe NATO-s për shkak të marrëdhënieve kalkuluese personale, atëherë ne do të jemi të detyruar të shkojmë në zgjedhje .
Në të Zaev thekson se do të bëjnë gjithçka që duhet që të sigurohet shumica e nevojshme në Parlament për ndryshimet kushtetuese, por nëse opozita tenton ta pengojë të ardhmen e Maqedonisë për shkak të interesave personale, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje. Është i bindur se nëse shkon në zgjedhje, do të marrë shumicën e dy të tretave sepse, siç thotë, mbi 80 për qind e qytetarëve janë për ardhmëri evropiane të shtetit.
“Në esencë besoj se edhe opozita është për në BE. Ata nuk janë kundër. Por, ato kalkulime të shkreta politike të cilat i bëjnë qarqet politike janë shkak për këtë. Madje edhe lideri i opozitës, i cili bojkotonte, nëse e pyetni a është për në NATO dhe BE, ai do t’u thotë “po” edhe në esencë besoj se kjo është e saktë, por ai dëshiron të kthehet në pushtet, ndërsa atëherë kur dëshiron të kthehet në pushtet e rrezikon ardhmërinë e vendit tonë; thotë Zaev, duke shtuar se nëse Maqedonia po lëvIzë përpara drejt integrimit euroatlantik atëherë do të rritet edhe BPV, do të rriten investimet dhe eksporti, do të ulet papunësia dhe do të sigurohen perspektivat që të rinjtë të mbesin në shtet.
Në intervistën Zaev thekson se përgjegjësia është te të gjithë është e madhe sepse bëhet fjalë për çështje e cila është mbi të, mbi liderin e opozitës, mbipartiake.
Lidhur me formulimin e çështjes së referendumit dhe nëse ajo ka qenë shkak për daljen e ulët më 30 shtator, Zaev thotë se çështja është vendosur sepse pa marrëveshjen me Greqinë nuk ka BE dhe NATO.
I pyetur si e komenton daljen në komunat ku shumica është popullatë shqiptare, kryeministri Zaev thotë se përqindja e daljes ka qenë e njëjtë edhe te maqedonasit, shqiptarët, turqit, boshnjakët sepse ka migrim të madh.
“Përqindja e faljes është normale. Kur do të shihni numrat, do të shihni se ne do të arrijmë dalje prej përafërsisht 50 për qind nga ajo që e kemi si votues në Maqedoni, sepse në Maqedoni ka rreth 1,3 milionë votues”, sqaron Zaev.
Lidhur me reagimet e bashkësisë ndërkombëtare pas referendumit, Zaev tha se faktori ndërkombëtar pret që Maqedonia të vazhdojë edhe më tej dhe Parlamenti të marrë vendim.