F.C.Struga “TRIM & LUM” me fitore bindëse në ndeshjen përmbyllëse në Turqi
F.C. Struga TRIM & LUM ka përmbyllur me fitore bindëse ndeshjet kontrolluese në Antalia të Turqisë, aty ku skuadra jonë për plotë 12 ditë tashmë po zhvillon fazën kryesore të përgatitjeve.
Ekipi ynë në ndeshjen e fundit kundër skuadrës moldave të Petrocub Hincesti, shënoi fitore të pastërt 3:0.
Në këtë ndeshje trajneri Zaharievski preferoi të luaj pjesën më të madhe të ndeshjes me një formacion, e që me shumë gjasa te i njëjti do të llogarisë në pjesën më të madhe të sezonit.
Në portë nisi Qoshevski, ndërsa në mbrojtje përveç dyshes Radiç dhe Pere, luajtën edhe dy përforcimet e kësaj merkatoje, Neziri dhe Krivanjeva.
Në mesfushë Zaharievski u vendos për Ard Kasamin, që lidhte mbrojtjen me mesfushën, për Hogan Ukpa dhe dy anësorët Radeski dhe Muharremi, që në shumicën e rasteve vepronin edhe në sulm, duke ndihmuar Ibraimin e vetmuar.
Golin e parë e realizuam në minutë e 32-të me anë të Hogan Ukpa, gol ky që doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë pjesës së parë, në të cilën vlen të theksohet se për shkak të lëndimeve nga loja u larguan Ard Kasami dhe Marjan Radeski, vendet e të cilëve morrën Flamur Tairi dhe Fatjon Jusufi.
Edhe pjesa e dytë nisi me inciativë të ekipit tonë, teksa në minutën e 75-të me anë të Valentin Koçoskit dyfishuam rezultatin në 2:0.
Loja e ndërtuar mirë në mesfushën tonë, me pasime të sakta dhe të shpejta dha rezultatin e duhur edhe në minutën e 81-të, kur rezervisti Abdylhadi Jahja shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e kundërshtarit.
Ky gol njëherit ishte edhe i fundit i këtij takimi, por edhe i skuadrës tonë në tokën turke, aty ku zhvilluam gjithsej 5 ndeshje, duke regjistruar një fitore, dy barazime dhe dy disfata.
Ekipi nesër rikthehet në Strugë, aty ku do të vazhdojmë me fazën e fundit të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror, që starton me 19 shkurt.
#antalyacamp
#ForcaStrugaTrimLum