Vështirësitë që shoqërojnë ndërtimin e një shteti të tipit europian, konfliktet e parreshtuara politike, korrupsioni dhe krimi, varfëria e deri edhe vetë përgjumja e Europës, kanë bërë që të lindë një tjetër prirje, ajo e largimit apo braktisjes së Maqedonis.
Analiza e të gjithë faktorëve, të shpie në përfundimin se, integrimi në BE-në mbetet rruga e vetme e progresit dhe sigurisë së shqiptarëve në Maqedoni. Çdo rrugë tjetër i dënon shqiptarët me atë që kanë vuajtur në shekuj, varfëri dhe pse jo, edhe robëri.
Europa nuk është një anije që po mbytet. As ëndrra europiane nuk është një barkë që duhet braktisur, për shkak të dallgëve të larta. Sepse largimi nga Europa, nga Bota e Lirë, është largimi nga ideali i lirisë. Dhe gabon kushdo që nuk llogarit lirinë si një faktor bazik në përparimin e një kombi. Shqiptarët e Maqedonis ende nuk e kanë njohur kurrë lirinë. Prandaj e kanë të vështirë ta kuptojnë forcën begatuese të lirisë. Jo thjesht të lirisë ditore, por të lirisë së njeriut si qytetar i një shteti me ligje dhe institucione që ia mbrojnë liritë dhe të drejtat nga cenimi prej çdo force apo pushteti. Pa Europën, pa Perëndimin dhe SHBA-në, Maqedonia do të jetë e braktisur siç kanë qenë për vite me radhë.
Imagjinoni për një moment Maqedonin larg projektit Europian të integrimit. Kush do ta pengonte etnonacionalizmin rus t’u kthehej pretendimeve për konflikte të armatosura? Dhe kur pyesim kush do ta pengonte, nuk kemi parasysh thjesht një forcë, një koalicion ushtarak si NATO, por mbi të gjitha, forcën e ideve të paqes dhe bashkëjetesës mes kombeve, forcën paqruajtëse të një ambicieje të përbashkët të kombeve të Ballkanit, për integrim në një strukturë mbikombëtare si BE-ja. Vetëm integrimi i Maqedonis dhe i gjithë Ballkanit në Europë, mund të shmangë përfundimisht skenarë të përgjakshëm të tipit të Krimesë. Tani që ambiciet e Rusisë për influencë drejt gadishullit plot barut etnonacionalist, janë ndezur përsëri. Kush mund t’i ndalë këto ambicie pansllavike, që nuk mund të mos shpërthenin në mungesë të idealeve dhe objektivave të europianizimit apo integrimit në BE?
Pra që Maqedonia duhet të bëhet Europë dhe se vetëm në Europë do ta gjejë shpëtimin, qytetarët më 30 shtator të vitit 2018 do të duhet të prononcohen a janë për Maqedoni europjane apo nuk janë. Që do të jetë, më në fund, një fat dhe jo një fatkeqësi për Maqedonin.
Selim Iljazi