Do të lind subjekti i ri politik, e bashkë me të, ndoshta për shqiptarët e Maqedonisë do të rilind edhe shpresa për një jetë më të mirë në këtë shtet.
Xhelil Bajrami, ish ministër në Qeverinë e Maqedonisë në emisionin “Koha për Pyetje” në Medial mk, ekskluzivisht ka shpalosur iniciativën rreth themelimit të një subjekti të ri politik shqiptar, që do i prijë ai me bashkëpunëtorë.
“Mund të konstatoj vetëm për emisionin tuaj se unë së bashku me disa shokë dhe veprimtarë të shquar kemi ndërmarrë një iniciativë për themelimin e një subjekti të ri politik, i cili do të dallon nga koncepti i veprimit nga ato aktualet, të cilat vetëm kanë pas për objektiv pasurimin e tyre dhe jo çështjet apo brengat e popullatës. Ne jemi të bindur se ky subjekt në momentin kur do të lind, në të njëjtin moment do të lind edhe shpresa e shqiptarëve të Maqedonisë”, tha nismëtari i këtij subjekti, Xhelil Bajrami.
Bajrami përndryshe, pas përfundimit të mandatit si Ministër i Ekologjisë (2006- 2008), ka vazhduar jetën e tij afër familjes në Shqipëri. Ai po ashtu njihet si njohës i mirë i rrethanave politike në Maqedoni dhe Shqipëri. Për iniciativën e ndërmarrë ka pohuar se ka njoftuar shumë miq dhe shokë, por edhe veprimtarë të çështjes kombëtare, nga të cilët ka marrë përkrahjen e pa rezervë. Ai nuk dha informacione më të shumta rreth subjektit të ri, rreth emrit apo kohës se kurrë do të bëhet publike, por vetëm shkurt na tha se e njëjta do të ndodhë shumë shpejtë.