Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një deklaratë tha se zyrtarët policor të cilët kanë qenë të kyçur në “Të hënën e zezë”, më 24 dhjetor të vitit 2012, janë shpërblyer nga ish ministrja e atëhershme, Gordana Jankulloska, njofton Portalb.mk, transmeton Express.
“Na ndodhi 24 dhjetori. Nuk është reaguar ashtu siç duhet dhe nuk mundej të pastrohet, pasi që u ishte dhënë urdhër zyrtarëve policor që të vijnë dhe t’i nxjerrin me dhunë gazetarët dhe deputetët. Dhe jo që i kanë nxjerrë jashtë, ja publikisht e them, ish ministrja e atëhershme e Punëve të Brendshme i ka shpërblyer të gjithë ata zyrtarë policor me nga 12.000 denarë shtesë në pagë”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Ndryshe, e ashtuquajtura “e hëna e zezë” është dita kur deputetët e opozitës dhe gazetarët me dhunë u nxorrën nga salla e Kuvendit, me qëllim që deputetët e shumicës së atëhershme të VMRO-DPMNE-së të sjellin buxhetin për vitin 2013-të.
Përderisa deputetët e dy taborëve zhvillonin betejë në ndërtesën parlamentare, jashtë saj, u grumbulluan simpatizues të dyja palëve, mirëpo nuk erdhi deri te përplasja e tyre, edhe pse atmosfera ishte mjaft e tensionuar.
E gjithë kjo rezultoi me krizë politike e cila përfundoi me pjesëmarrje të gjithë partive politike në zgjedhjet lokale ndërsa më pas u formua Komisioni Anketues, anëtarët e të cilit konfirmuan se në atë ditë është shkelur Kushtetuta e Maqedonisë.