Ku? Kah po shkon? Pse po ikë e po e lë Kosovën, familjen, shoqërinë? – këto pyetje para shumë vitesh ua bënim qytetarëve, atyre që e lëshonin Kosovën dhe iknin nga regjimi i ashpër i Serbisë.
E, po të njëjtat pyetje: Ku,? Kah po shkon? Pse po ikë e po e lë Kosovën? – vazhdojmë t’i dëgjojmë edhe sot, edhe pse e fituam lirinë e Pavarësinë!
Cila është arsyeja e migrimit të tyre sot?
Cila kategori e njerëzve detyrohen sot të ikin nga Kosova?
Pse?
Fatkeqësisht, janë të rinjtë ata, të cilët më së tepërmi kanë shprehur gatishmërinë për ta lëshuar Kosovën.
Pamundësia për të zënë një vend pune, niveli i ultë i standardit për një pjesë të madhe të popullsisë dhe mungesa e perspektivës, siç deklarojnë, janë disa nga arsyet kryesore.
A nuk janë ata “kapitali njerëzor”, me të cilët, ne, sot krenohemi?
Shqetësuese është, madje, ikja e të rinjve me fakultet e master të kryer, të cilët, me të njëjtin kualifikim shkollor, në vende të tjera të botës, do të çmoheshin dhe mbiçmoheshin.
Keq, a?
*
Ballafaqimet brendashqiptare po rritën dita-ditës, shkaku i prirjes sonë për të qenë vetëm i pari!
Ne, shqiptarët, në Kosovë e Shqipëri, sikur po e ndjemë nevojën që ta presim vetëm autobusin me numër një, sepse në numrin dy askujt nuk i pëlqen të ulet!
Dhe, për çudi, kjo sindromë po na përcjellë gjatë gjithë ecjes, historisë sonë…
Sikur na parapëlqen që çdo herë të startojmë prej fillimit, prej zeros!
Apo jo?
*
A është e mundur ta dimë ardhmërinë tonë?
Disa thonë po, e disa të tjerë thonë se ardhmëria e çdo njeriu është e shkruar dhe se ka njerëz që janë në gjendje ta lexojnë atë ende pa ardhur…
Por, a mund të besojmë?
Njëri nga qytetarët e anketuar, lidhur me këtë, thotë:
“Nuk besoj shumë në parashikime, por edhe nëse flitet për fundin e botës, do të gëzohem, sepse do të jetë fundi i hajnive, kontrabandave, të ligave dhe të këqijave në këtë përditshmëri tonën, në këtë botë”.
Qytetari tjetër:
“U rrita për faqe të zezë! E, edhe u plaka… Asnjë ditë të bardhë se pata në jetë! Andaj, nuk më dhimbset shpirti e as jeta edhe nëse vjen kiameti, sepse kiamet e pata gjithmonë!”. Gani Dili /Kosovarja/