Muhamer Pajaziti
Derisa të rinjtë maqedonas po ikin drejtë vendeve të BE-së me pasaporta bullgare, të rinjtë shqiptarë këtë po e relizojnë përmes kontratave të punës me ndërrmarrje gjermane.
Vetë ambasadori gjerman në Shkup, deklaroi se për çdo ditë nga 80 të rinjtë po largohen me kontrata pune drejtë Gjermanisë.
Nëse ky trend i ikjeve masive vazhdon, deri në vitin 2020 nga Maqedonia vetëm për një Gjermani pritet të largohen rreth 100 mijë të rinjë, shumica prej tyre shqiptarë. Nëse shtojmë këtë edhe një numër të madh të të rinjve që po ikin përmes Bullgarisë, kjo shifër do jetë tejet alarmante.
Maqedonia rrezikon të mbetet si Bullgaria dhe Rumania, shtete në të cilat jetojnë pothuajse vetëm pensionerë ose të moshuar.
Një realitet tmerrues ka kapluar Maqedoninë, ku të rinjtë si shteg të tyre shpëtues i shohin vendet e BE-së, pa llogaritur koston e sfidave dhe sakrificave të tyre.
Eksodi i trurit të ri është si rezultat i brishtësisë së shteteve, dominimit dhe indoktrinimit politik në çdo pore të shoqërisë dhe jetës së përditshme, anashkalimi i trurit dhe intelektualizmit, dominimi i klasave mediokre politike të zhytura në krim të organizuar dhe korrupsion të hatashëm.
Një diplomat perëndimor në një bisedë rasti nxjerrë diagnozën e doktrinave të qeverisjeve dhe menaxhimit të shteteve me një përkufizim se “klasat politike në vendet e Ballkanit kryesisht përbëhen nga një mikst i elitave politike të periudhave të komunizmit dhe elitave të reja fshatareske, të varfra anti-komuniste që janë brum i krijesave të dalura nga konfliktet e fundit dhe ombrellat nacional – romantike, përfshirë gati çdo vend, kryesisht ato të ish-Jugosllavisë’.
Kjo armatë që ka pushtuar institucionet dhe sferat e tjera shoqërore është një oktapod gllabërues që thellon humnerën e një keqqeverisje dhe mungesën e një vizioni për të ardhmen e vendit dhe sidomos popullsisë së re, duke seruar varfërinë dhe pasigurinë totale.
Mentalitetet e tilla janë aq larg botëkuptimeve dhe trendeve të punës evroperëndimore, saqë krijojnë përshtypjen se integrimi evropian për ta nënkupton shkuarjen apo largimin nga vendi, dhe jo forcimin e brendshëm institucional dhe zhvillimin ekonomik. Ngatërrimi i këtyre koncepteve sipas mentaliteteve dhe formësimeve “alla turke” pasqyron në të vërtetë se ku gjendet sot Ballkani dhe pse çdo ditë kemi braktisje masive të vendeve.
Fatkeqësisht, njëzetë vjet pas rënies së komunizmit diferenca në pasuri mes Maqedonisë dhe vendeve të BE-së është shumë e madhe.
Korrupsioni, kriminaliteti i jakës së bardh, mungesa e edukimit profesional, po i pamundëson këtyre vendeve një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm si dhe një perspektivë më të mirë për të rinjtë./Ibna/