E vërteta nuk ka ngjyrë partie, një fjalë për ata që përhapin shpifje
Unë jam Lindim Etemi, gazetar i Struga Ekspres. Së fundmi, ndaj meje janë hedhur akuza të pabaza se unë paskam marrë para nga ndonjë parti politike dhe se jam i pozicionuar politikisht në mbështetje të një pale të caktuar në Strugë. E kam thënë dhe e them përsëri publikisht, nuk kam marrë asnjë qindarkë nga asnjë subjekt politik, dhe nuk jam njeri që e shet penën për interesa të askujt.
Unë shkruaj për Strugën, për qytetin tonë, për njerëzit tanë dhe për të vërtetat që shumëkush nuk ka guximin t’i thotë. Shkrimet e mia janë pasqyrë e realitetit që na rrethon, i ashpër ndonjëherë, por i domosdoshëm për t’u thënë. Kur përmend padrejtësi, kur denoncoj praktika të dëmshme, kur flas për zhgënjimet që ndjejnë qytetarët nga klasa politike, nuk e bëj për të mbështetur dikë apo për të dëmtuar tjetrin. E bëj sepse kjo është detyra e gazetarit të ndershëm, të qëndrojë me qytetarët, jo me pushtetin dhe opozitën.
Le të dalë një person i vetëm që të thotë se unë kam përfituar diçka gjatë këtyre viteve që punoj si gazetar. Le të flasë kushdo, nëse ka një fakt të vetëm kundër meje. Unë me forcat e mia dhe me dinjitetin tim mbijetoj.
Të vërtetën time e mbroj me jetën time.
E kuptoj pse disa ndihen të sulmuar, sepse janë mësuar që mediat të heshtin ose të manipulojnë. Por nuk do të më shihni kurrë duke u bërë pjesë e asaj kategorie që këmben heshtjen me përfitime. Unë nuk kam frikë nga e vërteta. Ata që shpifin, kanë.
Kam miq dhe bashkëbisedues nga të gjitha partitë politike, dhe kjo është pasuri për mua, por s’do të thotë që jam pjesë e tyre. S’e kam për zakon t’i ndaj njerëzit me ngjyrat e flamujve partiakë, por me vlerat që mbartin.
Në fund, dua ta mbyll me një fjali që i shkon shumë kësaj situate:
“Mjafton të thuash një të vërtetë, dhe fiton armiq sa të duash.”
Kjo nuk më tremb. Më forcon.
Lindim Etemi
Gazetar – Struga Ekspres