Shërbimi mjekësor në një shtet të huaj është i shtrenjtë për arsye se bëhet mbi baza private, përveç rasteve kur nga Tirana vjen ndonjë dashakeq që prezantohet si gazetar dhe pret që shërbimi ndaj tij të bëhet falas(!). Gazetaria e keqe u mundua t’ia vesh një mantel tjetër dr.Asim Musës, por edukata e tij qytetare dhe etika mjekësore atë me dekada e kanë stolisur si model të humanizmit dhe profesionalizmit
Nga Emin AZEMI
Gazetarët kur duan të jenë hileqarë, aq keq i paketojnë gjoja hulumtimet e tyre, sa që njeriu beson se vërtetë brenda tyre fshihet kushedi çfarë hataje. Kështu u dukën edhe disa gazetarë humoristikë të Tiranës, të cilës përmes gjoja një hulumtimi që kishin bërë në kuadër të emisionit të tyre – “Fiks Fare”, nuk arritën të zbulojnë kurrfarë korrupsioni, vetëm se zbuluan joprofesinalizmin e tyre. Një sharlatanizëm ekstrem që lidhje nuk ka me etikën e punës së gazetarit, aq më keq kur kronologjia e rrëfimit dhe autenticiteti i pamjeve të xhiruara tinëz nuk e konfirmonin askund se urologu nga Struga, dr. Asim Musa, ish-zëvendësministër i Shëndetësisë, ka përmendur ndonjë fakt që do ta lidhte atë me ryshfetin.
Nëse shkon si qytetar i huaj në Tiranë dhe kryen ndonjë intervenim kirurgjik, duhet të paguash mbi 2000 euro dhe askush këtë nuk e quan ryshfet, kurse ata që i marrin këta lekë, nuk quhen të korruptuar. Sepse, kështu është edhe në Turqi, Gjermani e gjetiu. Shërbimi mjekësor në një shtet të huaj është i shtrenjtë për arsye se bëhet mbi baza private, përveç rasteve kur nga Tirana vjen ndonjë dashakeq që prezantohet si gazetar dhe pret që shërbimi ndaj tij të bëhet falas(!).
Në Shkup vinë me dhjetëra qytetarë nga Kosova dhe paguajnë mbi 5000 euro për operacione që nuk mund të realizojnë në spitalet e atjeshme.
Asnjë gazetarë nga Tirana nuk ka ardhur deri më tani të vizitojë Klinikat e Shkupit dhe të shohin nga afër sa shtrenjtë kushton të jesh pacient kosovar.
Gazetarët humoristik të Fiksit si duket nuk i kanë të qarta disa terme që janë të domosdoshme të dihen para se t’iu hynë aventurave të tyre të pista për denigrimin e njerëzve. Ata, parasegjithash do të duhet të bëjnë dallimin në mes të pacientëve vendorë që kryejnë shërbime spitalore kundrejt vlerave që mbulohen nga Fondi Shëndetësor i këtushëm dhe pacientëve që vinë nga jashtë shteti, e të cilët duhet të paguajnë shuma që nuk i mbulon Fondi Shëndetësor.
Dr. Musa pikërisht këtë ua sqaronte humoristëve tragji-komik të paketuar keq në petkun e gazetarit, ndonëse këta të fundit insistonin ta fusnin në kurth “viktimën” e tyre duke i ofruar fillimisht 100 euro, pastaj 50 euro bakshish.
Dhe nëse sharlatanizmi i këtyre tragji-komikëve nuk mundet të bëjë dallimin në mes të ryshfetit dhe bakshishit (të dhënë me pikë të zorit), atëherë ky është një problem shumë i madh për ata redaktorë dhe drejtues emisionesh të tilla, të cilët nën siglën e “hulumtimit gazetaresk”, fusin turli kurthe dhe intrige që nuk përkon me etikën e mirëfilltë gazetareske.
Dr. Asim Musa u tërhoq nga pozita e zëvendësministrit të Shëndetësisë, pa ia kërkuar këtë askush dhe po të ishte një person me kredibilitet të dyshimtë, siç u munduan ta paraqesin tragjikomikët e Fiksit, ai do të ngurronte të largohej nga ky funksion dhe të paktën që do të bënte, do të thirrej në emër të partisë së tij duke kërkuar mbrojtje nga krerët e saj, siç kanë vepruar në raste të ndryshme persona të caktuar nga kjo parti.
Por ai këtë nuk e bëri. Jo pse deshi të tregohej hero i vetmuar, por pse deshi të shpërfaq pastërtinë e tij njerëzore e qytetare kundrejt një kurthi që gjithçka ishte vetëm jo hulumtim gazetaresk. Ai njihet në Strugë dhe më gjerë si urolog me nivel të lartë profesionalizmi dhe me sjellje tepër korrekte ndaj pacientëve. Një media që merr në thumb vlera të tilla, mund ta ketë ndoshta më lehtë ta paketojë dembelinë për të bërë tema më përmbajtësore, por aspak nuk justifikohet lehtësia kaq idiotike në nxirjen e imazhit dhe autoritetit të njerëzve, pikërisht të atyre që në komunitet konsiderohen si model i qytetarisë dhe profesionalizmit.
Sikur mediat ta kishin kryer punën e tyre me nder e përkushtim, do të kishin treguar se deri ku kanë shkruar hulumtimet e tyre për disa afera të rënda korruptive, që në krahasim me to, bakshishi i Strugës duket një pikë vogël në oqean.
Opinioni publik ende nuk e ka një sqarim të detajuar se cili është epilogu i padisë penale për ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe drejtorin e Fondit për Sigurim Shëndetësor, Den Donçev, për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me 11 milionë euro.
Edhe Dragi Rashkovski, sekret i përgjithshëm i Qeverisë, përmendet në skandal ryshfeti prej 7 milionë euro, ndërsa rasti është në procedurë hetimore nga Komisioni për Antikorrupsion.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Koço Angjushev arrin të blejë tokë shtetërore në vlerë prej dhjetëra milionë euro.
Rasti “Zhvatja” ka përfunduar deri te nënkryetarja e Parlamentit dhe nënkryetare e LSDM-së, Frosina Remenski, e ku përmenden gjithashtu miliona euro zhvatje.
Mirëpo, të gjitha këto afera korruptive, asnjëherë nuk mund të ndriçohen nëse varen nga hulumtimet e shakaxhinjëve dashakëqij të Tiranës. Këta të fundit më lehtë e kanë të vizitojnë Strugën dhe frustrimet e tyre provinciale t’i shprehin në një rast gjoja korruptiv, i cili gjithçka mund të quhet, por jo edhe hulumtim gazetaresk, siç pretendojnë ata.
Gazetaria e keqe u mundua t’ia vesh një mantel tjetër dr. Asim Musës, por edukata e tij qytetare dhe etika mjekësore atë me dekada e kanë stolisur si model të humanizmit dhe profesionalizmit. (koha.mk)