Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Ukrainë për momentin vazhdon të funksionojë dhe diplomatët mbeten në Kiev, por familjet e tyre do të kthehen në Shkup këtë javë. Rreth 30 vëzhgues nga Maqedonia e Veriut mbeten në Ukrainë si pjesë e Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së.
Rreth njëqind qytetarë të Maqedonisë aktualisht janë duke qëndruar në Ukrainë dhe Ministria e Punëve të Jashtme ka hartuar një plan me aktivitete për skenarë të ndryshëm që mund të ndodhin në periudhën e ardhshme në Ukrainë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ministri për Punë të Jashtme Bujar Osmani, dje në një konferencë për shtyp informoi se në Ukrainë janë katër kategori të qytetarëve të Maqedonisë. Në kategorinë e parë janë ambasadori dhe një diplomat tjetër në ambasadën e RMV-së në Kiev dhe familjet e tyre. Duke qenë se ata janë staf thelbësor për ambasadën dhe ende nuk ka vendim për mbylljen e saj, diplomatët do të qëndrojnë në Ukrainë derisa të merret vendim tjetër, por është vendosur që familjet e tyre të kthehen në Shkup në fillim të kësaj jave.
Në kategorinë e dytë janë rreth 30 vëzhgues në kuadër të Misionit Special Monitorues të OSBE-së dhe është vendosur që ata për momentin të qëndrojnë në Ukrainë.
Në kategorinë e tretë janë rreth 40 shtetas që për arsye të ndryshme ndodhen në Ukrainë dhe rreth 30 anëtarë të familjeve të tyre, ku shumica e anëtarëve të familjes janë shtetas ukrainas.
Bujar Osmani të gjithë atyre ju bëri thirrje që të shfrytëzojnë mundësinë dhe me fluturime komerciale të largohen nga Ukraina dhe të kthehen në Maqedoninë e Veriut.
Osmani theksoi se disa nga planet kanë filluar të realizohen duke u bazuar në komunikimin e ngushtë që MPJ-ja ka me aleatët.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe rreth 22 vende të tjera, duke përfshirë Britaninë, Gjermaninë, Holandën, Australinë, Zelandën e Re, Kroacinë dhe Bullgarinë, u kanë thënë qytetarëve të tyre që të largohen menjëherë nga Ukraina.
Pentagoni njoftoi në fundjavë se po tërhiqte pothuajse të gjitha trupat e tij nga Ukraina, ndërsa nga Uashingtoni erdhi paralajmërim se Rusia ende po grumbullonte trupa dhe pajisje ushtarake në zonat kufitare dhe se një sulm rus mund të ndodhë në 10 ditët e ardhshme.