Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrja Rashidi, i ftuar në emisionin Rruga drejt në Alsat , tha se ata si koalicion do të pranonin çfarëdolloj koalicioni, përveçse me BDI-në. Rashidi tha se zgjedhjet e ardhshme, lokale apo parlamentare, i presin ndryshe për dy arsye.
“Çdo shumicë të re parlamentare pa BDI-në brenda do ta kishim mbështetur. Dhe për këtë i mbesim besnik dhe konsistent qëndrimeve tona të lidhura me legjitimitetin në zgjedhje. Duke përsëritur edhe një herë se në këto zgjedhje është deformuar rrënjësisht vullneti politik i shqiptarëve. Në zgjedhjet e ardhshme që do vijnë gjerat do jenë më ndryshe për dy arsye: e para është se përfundimisht ne do të kemi anëtarë të komisioneve në të gjitha vendvotimet, një e drejtë që na u mohua, dhe e dyta me ndryshimet në Kodin Zgjedhor me gjurmimin e gishtërinjve.”, tha Rashidi
Ndërsa deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, u përgjigj se ata si BDI nuk as kohë të mendojnë për këtë. Ai tha se përbërja aktuale, qeveria, është fokusuar dhe po punon fort për programin që kanë shpalosur para një viti dhe nuk kanë kohë të merren me gjera të tilla.
Qeveria është stabile, ne jemi duke punuar dhe jemi të fokusuar në programin tonë. Nuk ka pasur bisedime dhe nuk kemi kohë te merremi me këto çështje. BDI-në nuk munden ta fitojnë dot. BDI-ja është një parti politike që ka dalë nga sakrifica e popullit dhe që gëzon legjitimitet të plotë-tha Ademi.