Gazetar Miki Trajkovski
Erol Spaho, profesori i anglishtes në gjimnazin e Strugës, është dënuar me katër muaj burg. Ai sulmoi me boks hekuri një nxënës në shkollën “Ibrahim Temo” në dhjetor të vitit të kaluar, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Ai u shpall fajtor për veprën penale “dhunë”, shkruan Alsat
Do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim deri sa vendimi gjyqësor të jetë i plotfuqishëm kurse për shpenzimet gjyqësore do të duhet të paguajë mbi 2000 euro. Mbrojtja e tij paralajmëron ankesë kundër vendimit.
Në deklaratën e tij javën e kaluar, profesori pohonte se incidentin nuk e kishte nisur ai, por nxënësi. Familja e nxënësit të dëmtuar nuk është e kënaqur me vendimin dhe kërkon dënim më të lartë. Ata thonë për Alsat se do ta ankimojnë vendimin në instancat më të larta gjyqësore. Bëjnë të ditur se ndaj profesorit do të bëjnë padi private për kërcënime dhe shantazhe pasi thonë se nuk do të ndihen të sigurt. Profesor Spaho ndërkohë humbi vendin e punës pasi drejtori i shkollës me sugjerimin e Komisionit disiplinor vendosi t’ia ndërpresë marrëdhëniet e punës. /alsat.mk