Takim me shefin e SP – Strugë
Me iniciativë të kryetarit të komunës së Strugës z. Ramis Merko, Shefi i kabinetit z. Dashmir Nasufi sot takoi shefin e Stacionit Policor të Strugës z. Valon Hani. Takimi kishte karakter informues rreth ngjarjeve të fundit që po zhvillohen në qytetin tonë që vërtet janë problematike dhe shqetësuese për të gjithë qytetarët.
Në takim u diskutua për çështjen e lypësve të organizuar, e cila ende nuk është zgjidhur. Nga ana e Komunës së Strugës u kërkua llogari se pse ende nuk ka rezultat në aksionet e ndërmarra më herët.
Organet policore po bëjnë punën dhe vëzhgimin e të gjithë terrenit se ku po veprojnë lypësit e organizuar për të arritur deri në tutorimet e tyre apo personat që po i keqpërdorin. Është një situatë delikate pasi që në të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me fëmijë prandaj dhe është e vështirë për të arritur aty ku duam ne. Ne po veprojmë gjatë gjithë kohës dhe sëshpejti para fillimit të sezonit turistik do të kemi rezultate konkrete, theksoi Hani.
Pos kësaj sa u përket vjedhjeve të fundit në fshatrat Ladorishtë, Zagraçan, Shum, etj z. Hani theksoi se janë shtuar masat e patrullimit dhe atë në orët e vona të natës. Ndër tjera ai potencoi se mungon bashkëpunimi i qytetarëve me organet policore në drejtim të dhënies së informacionit në kohë reale. Do te inicohen ekipe civile patrullimi të cilat do të të patrulojnë dhe do të levizin jo vetëm në fshatrat konkret por në të gjithë territorin e Komunës së Strugës.
z. Nasufi theksoi se Komuna nuk ka kompetencë në marrjen e masave konkrete por se ne si institucion jemi në mbështetje të qytetarëve dhe po bëjmë aq sa kemi mundësi.
Ndër tjera vërejtje u adresuan edhe moszbatimi i ligjit të gjuhëve në Stacionin Policor të Strugës, ku rast I fundit ishte raporti gjashtëmujor i gjendjes së kriminalitetit në Komunën e Strugës. Valon Hani tha se kjo vjen si pasojë e mungesës të kuadrit përkthyes në SP.
APEL deri tek të gjithë qytetarët e Komunës së Strugës: Për çdo lëvizje të dyshimtë të personave të panjohur apo lëvizje të makinave të dyshimta lajmërohuni në 192 ose në numrat fiks të SP Strugë.
Zyra për marrëdhënie me publikun,
Komuna e Strugës