Biznesi dhe shkollat nuk po ndalen në Suedi, pavarësisht shpërthimit të koronavirusit dhe zhvillimeve dramatike në pjesën tjetër të Europës. Deri tani autoritetet suedeze kanë raportuar mbi tremijë raste infektimesh dhe të paktën 92 viktima.
Shkollat janë mbyllur thuajse në mbarë Europën, por Suedia po ndjek një strategji tjetër. Jeta shoqërore dhe shumica e institucioneve vijojnë veprimtarinë e tyre, pavarësisht shpërthimit të koronavirusit. Deri tani autoritetet kanë raportuar për 3046 raste infektimesh dhe të paktën 92 viktima. Por kjo gjendje nuk ka sjellë mbylljen e shkollave.
“Mendoj se qeveria suedeze shikon mundësi të tjera. Shkolla luan një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri ndaj nëse e mbyll shkollën dhe fëmijët qëndrojnë në shtëpi, pasojat do të jenë të mëdha për mbarë shoqërinë,” thotë drejtori i njërës prej shkollave, Mikael Kalmenstam, transmeton oranews.
Deri tani autoritetet po fokusohen te mbrojtja e shëndetit të të moshuarve.
“Synimi i kryesor i strategjisë suedeze është mbrojtja e të moshuarve, në mënyrë që ata të mos sëmuren apo vdesin. Ndaj dhe këshillohet që nipërit dhe mbesat qëndrojnë pranë gjyshërve në këtë fazë,” thotë këshilltari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Johan Giesecke.
Qëndro në shtëpi nëse je i sëmurë thonë tabelat buzë rrugës. Kështu po bën edhe gjimnazistja Emma Miki, që studion në një zonë malore të vendit, ku shkollat janë mbyllur.
“Më vjen keq që shkolla është mbyllur, më ka marrë malli shumë për të. Dua të shkoj në shkollë dhe të vazhdoj mësimin, në shtëpi mërzitem,” thotë nxënësja Emma Miki.
Duke parë zhvillimin e gjendjes, autoritetet mund të mbyllin kopshtet dhe shkollat, thotë kryeministri, Stefan Lofven.