Për 50 për qind për vetëm një ditë është shtrenjtuar litra e vajit të lulediellit në Kosovë. Përderisa një litër dje kushtonte rreth 2.3 euro, sot në disa lokacione është gjetur me çmimin 3.5 euro.
Teksa vetëm një ditë më parë Qeveria kërcënoi me masa rigoroze tregtarët që abuzojnë me çmime, deklarata nuk është përfillur nga disa tregtare që për një muaj kanë ngritur çmimin e vajit nga rreth 1.5 euro për më shumë dyfishin.
Madje dyqanet po shesin në sasi të kufizuar me çmimin e ri.
Ngritja e çmimeve të produkteve bazike ka shkaktuar panik te qytetarët. Rafte me miell e vaj tashmë shihen shpesh të zbrazura në dyqanet e mëdha.
Produkte të shumta kanë marrë përpjetën e ashpër ditëve të fundit. Tronditja e tregjeve globale si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës ka goditur edhe ekonominë e Kosovës. Fillimisht rritje të pandalshme të çmimit pati nafta e që u pasua me drithërat dhe shumicën e produkteve elementare.