Shtrenjtimi i energjisë elektrike do të ndikojë në rritjen e çmimit të miellit e nënprodukteve të tij. Deri në fund të muajit nëntor bukën do ta blejmë 10 për qind më të shtrenjtë sesa çmimi aktual. Të paktën kështu paralajmërojnë prodhuesit e miellit, të cilat shtrenjtimin ia faturojnë rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe rritjes së çmimit të stokut të grurit. Nga Oda Ekonomike sqarojnë se çmimi në bursë i grurit si lëndë e parë bazë filloi sërish të rritet. Që nga korrjet e këtij viti çmimi në bursën franceze është rritur me rreth 10 për qind, në Serbi po ashtu është 10 për qind. Që do të thotë se do të rriten ndjeshëm çmimet e miellit, bukës dhe produkteve të tjera për një minimum prej 10 për qind në periudhën e ardhshme prej maksimumi 40 deri në 50 ditë. Çmimi i rritur i energjisë elektrike konsiderohet si një problem i madh për momentin. Goran Malishiq nga Oda Ekonomike thekson se teprica e natës e shitur nga EEM do të ishte me përfitim të madh, sepse 75 për qind e prodhimit të industrisë së bukës bëhet gjatë natës.