BUJAR OSMANI; STRUGA – ZEMRA E AVANGARDËS SHQIPTARE NË MAQEDONI
Gjatë një fjalimi të mbajtur së fundmi, Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Bujar Osmani, ka theksuar rëndësinë e veçantë që qyteti i Strugës dhe qytetarët e saj kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë në historinë dhe zhvillimin politik, arsimor dhe shoqëror të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Struga është më shumë se një qytet – ajo është një ide. Është ide e atdhedashurisë, e qytetarisë së lartë, dhe e përkushtimit ndaj avancimit arsimor, kulturor dhe politik të shqiptarëve,” – u shpreh Osmani.
Në fjalimin e tij, ai veçoi rolin e veçantë të struganëve në ndërtimin institucional dhe përfaqësimin e denjë të shqiptarëve në vend dhe jashtë tij. “Struganët janë pjesë e avangardës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Këtë e kam vërejtur jo vetëm në Shkup, nëpër institucionet shtetërore, por edhe në shtete të ndryshme jashtë vendit – gjithmonë kur kam takuar struganë, kam parë përkushtim, dije dhe vizion,” – theksoi Osmani.
Në përmbyllje, Nënkryetari Osmani theksoi me bindje se Struga dhe struganët janë një faktor i patëkalueshëm i politikës në Maqedoninë e Veriut – një gur themeli në ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.