Në konferencën e organizuar në Tiranë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj me temë “Roli i Shqipërisë në promovimin e interesit kombëtar në Ballkanin perendimor”, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në fjalën e tij tha se në Maqedoni kemi tre universitete në gjuhën shqipe. Osmani shtoi se ka pasur vullnet politik për hapjen e këtyre universiteteve por tani është faza e cilësisë për arsim të lartë dhe se duhet bashkëpunim shkencor dhe arsimor për të bërë këto universitete cilësore.
“Marrëveshja e Ohrit krijoi një kornizë të zgjeruar të integrimit, mirëpo tani po kalojmë në një kapitull tjetër, në integrim apo kryefjala e veprimit tonë politik në periudhën që vjen është integrimi cilësor. Nëse para disa viteve ishim të privuar nga mundësia për arsim të lartë sot në Maqedoni kemi tre universitete shtetërore shqiptare, tani është faza e cilësisë në arsim është faza se si universitete tona të ngritën më lartë në listën e Shangait dhe kjo e bën që kontributi i Shqipërisë dhe gjithë hapësirës sonë të ketë një trajtë tjetër. Nëse kishte vullnet politik për hapjen e këtyre universiteteve tani duhet bashkëpunim shkencor dhe arsimor për të bërë këto universitete më cilësore”, u shpreh Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Osmani theksoi se të gjitha institucionet qendrore dhe lokale flasin shqip, por duhet ndihma e Shqipërisë për të përdorur shqipen e unifikuar dhe standarde.
“Nëse para disa viteve ishim të privuar nga mundësia e përdorimit të shqipes në komunikimin zyrtarë sot në Maqedoninë e Veriut të gjitha institucionet qendrore dhe lokale flasin shqip, por tani na duhet kontributi i Shqipërisë për të përdorur shqipen e unifikuar dhe standarde dhe për të aftësuar administratën shtetërore për të komunikuar zyrtarisht në gjuhën shqipe”, tha Bujar Osmani.