Kandidati aktual për kryetar të Çairit dhe ish-ministër i punëve të jashtme, Bujar Osmani, këtë mëngjes me një video-mesazh, qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut ua uroi 8 Shtatorin, Ditën e Pavarësisë .
Në mesazhin e tij, Osmani kujtoi vizionin, guximin dhe këmbënguljen e gjeneratave që hapën rrugën drejt një shteti të pavarur dhe të lirë, duke theksuar se gjenerata e sotme ka detyrimin ta vazhdojë këtë betejë me vendosmëri edhe më të madhe.
“Shteti ynë ka kaluar shumë sprova, por gjithmonë kur e ardhmja dukej e pasigurt, qytetarët zgjodhën dinjitet, demokraci dhe të ardhme evropiane”, tha Osmani.
Ai theksoi se në këto momente historike, vendit i duhet më shumë se kurrë unitet, drejtim i qartë dhe vendosmëri politike:
“Kjo nuk është kohë për ndarje, kjo është kohë për bashkim dhe ndërtim urash. Rruga jonë është Evropa dhe ky është hapi i fundit që do të na garantojë një shtet të sigurt, të zhvilluar dhe prosperues”.
Osmani kujtoi se si diplomat dhe politikan ka qenë pjesë e proceseve kyçe të integrimit euroatlantik, por mbi të gjitha si njeri që beson në një të ardhme të përbashkët.
“Në këtë ditë të japim besë: nuk do të lejojmë askënd të na kthejë prapa. Do të ecim përpara, me krenari, me arsye dhe me vullnet, për një shtet më të mirë për gjithë qytetarët”, tha Osmani në mesazhin e tij.
Në fund, ai ua uroi festën gjithë qytetarëve me një mesazh të fuqishëm për unitet, shpresë dhe përkushtim ndaj së ardhmes evropiane.