Bujar Osmani: Këto zgjedhje janë referendum për Evropën, e jo për oligarkinë dhe “Botën Serbe”
“Më e rëndësishmja për çështjen e Bashkimit Evropian është të mos kemi ndarje partiake. Këtë e kërkoj prej vitesh, të arrijmë konsensus. Nuk ka çështje më të madhe për qytetarët se anëtarësimi në BE”, tha kandidati për kryetar të Çairit dhe ish-ministër i Jashtëm, Bujar Osmani.
Ai theksoi se fqinjët, Shqipëria dhe Mali i Zi, po ecin me hapa të shpejtë drejt BE-së, ndërsa Maqedonia ngec për shkak të lojërave politike.
“E dini se Shqipëria tashmë i hap kapitujt e fundit dhe ka premtim për anëtarësim deri në vitin 2029? E ne? Gjithçka e bllokuar”, tha Osmani ndërsa kujtoi se mosmarrëveshjet më të vështira me Bullgarinë, çështja e gjuhës maqedonase dhe veçantia e popullit maqedonas, tashmë janë zgjidhur me kornizën negociuese.
“Me mbështetje edhe nga Sofja, siguruam që Bashkimi Evropian ta njohë pastër gjuhën maqedonase, çështje e mbyllur njëherë e përgjithmonë. Dhe me përfshirjen e bullgarëve si pakicë në Kushtetutë, u konfirmua veçantia e popullit maqedonas. Dy çështjet më të mëdha janë kapërcyer. Kushdo që e konteston kornizën, e konteston të ardhmen”, theksoi ai.
Sipas Osmanit, problemi është politik.
“Kjo qeveri nuk ka ambicie për anëtarësim në BE. Çdo hap drejt Evropës nënkupton dalje nga bota serbe dhe goditje ndaj oligarkisë që mban monopolin dhe sponsorizon partitë. Kjo është e vërteta, pushteti qëllimisht e bllokon rrugën evropiane”, tha Osmani, ndërsa
paralajmëroi se në zgjedhjet lokale në Çair qytetarët do të zgjedhin mes dy koncepteve:
“Njëri që do ta ç’bllokojë rrugën evropiane, të mbrojë bashkëjetesën dhe Marrëveshjen Kornizë, dhe tjetri që do ta bllokojë, të na afrojë me botën serbe, të shkatërrojë Marrëveshjen Kornizë dhe marrëdhëniet ndëretnike. Këto zgjedhje janë referendum”, nënvizoi Osmani.
Nuk ka perspektivë për këtë shtet përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vijoi më tej ai.
“Kjo do të thotë paqe, prosperitet, dinjitet. Unë do të jem mbrojtësi më i madh i Evropës, pa marrë parasysh funksionin që e ushtroj”.
Më 19 tetor, tha ai, Çairi do të dërgojë mesazhin e qartë:
“Jepuni qytetarëve të ardhme evropiane, e jo pasaporta bullgare nga halli”.