Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte në hapjen e shtabit të Këshillit Vendor “Teli”, bashkë me kandidatin e AKI-së për Qytetin e Shkupit, Zejd Rexhepi, bartësin e listës për këshilltarë në Qytetin e Shkupit, Abdulselam Selami dhe kryetarin e degës së Çairit, Bekim Neziri, theksoi se vizioni i tij është rikthimi i rendit dhe disiplinës në këtë komunë.
“Çairi ka nevojë për vizion dhe disiplinë pune, jo improvizime e kaos. Besimi që më keni dhënë më obligon të punoj ditë e natë për një Çair modern, të pastër dhe transparent. Këto zgjedhje janë referendum për dinjitetin tonë – të kthejmë tapinë e shtëpisë dhe të bëhemi zot shtëpie në komunën tonë”, tha Osmani.
Ai shtoi se në qendër të programit të tij është planifikimi afatgjatë dhe zhvillimi i qëndrueshëm, duke rikujtuar se shembulli i komunës Gazi Babë, e cila nuk ka plan urbanistik që nga viti 1995, nuk duhet të ndodhë edhe në Çair.
“Plani urbanistik është ABC-ja e çdo komune. Unë vij me një plan të qartë, me një vizion të qartë se ku e shoh Çairin pas një viti, pas pesë viteve, pas dhjetë viteve”, theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Çairit./Zyrtare.net/