Bujar Osmani: Bit Pazari është zemra e ekonomisë së Çairit, do t’ia kthejmë dinjitetin
Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, nga Bit Pazari paralajmëroi një plan konkret për integrimin e kësaj zone ekonomike e kulturore, së bashku me Çarshinë e Vjetër të Shkupit, dhe shndërrimin e saj në një atraksion turistik.
“Jam këtu në zonën mes Çarshisë së Shkupit dhe Bit Pazarit. Gjithmonë kemi folur se aseti më i madh i Çairit është Çarshia. Mirëpo, nuk duhet harruar Bit Pazari si pjesa më dinamike, zemra e ekonomisë së Çairit, ku një numër i madh njerëzish nxjerrin bukën e tyre. Ai është gjithashtu një prej atraksioneve më të mëdha të komunës sonë, me të cilin identifikohet komuna jonë”, tha Osmani.
Ai theksoi se gjendja aktuale nuk i përgjigjet rëndësisë së kësaj zone. “Ditëve të fundit kalova këtu edhe ditën edhe natën. Natën nuk pashë asnjë ndriçim nëpër rrugët rreth Bit Pazarit dhe Teatrit të Shkupit, institucion me 75 vite histori. Nuk kishte asnjë dritë. Pashë qen endacakë që i frikësonin njerëzit të kalonin këtu, si dhe automjete që uzurponin rrugët. Thjesht, ky nuk mund të jetë Pazari me të cilin identifikohet Çairi ynë”, theksoi ai.
Osmani prezantoi planin e tij për ndërhyrje: “Do ta rregullojmë ndriçimin në të gjitha pjesët e Bit Pazarit. Do ta zgjidhim çështjen e parkingjeve. Do të ndërmjetësojmë mes kompanisë private dhe njerëzve që shesin këtu, për të siguruar kushte më të mira – mbulesa dhe një ambient të pastër, pa mbeturina nëpër rrugë. Komuna do të formojë një ndërmarrje komunale të veçantë me 120 të punësuar të uniformuar, të cilët çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje do të kujdesen për higjienën dhe rendin në Bit Pazar”.
Ai kujtoi se Bit Pazari historikisht ka qenë jo vetëm qendër ekonomike, por edhe vend i jetës sociale. “Detyra ime është t’i kthej dinjitetin kësaj zone, jo vetëm njerëzve që punojnë këtu, por edhe atyre që vijnë të blejnë dhe turistëve. Vetëm 100.000 turistë turq kalojnë çdo vit nëpër Çarshinë e Shkupit. I pyeta sot njerëzit që shesin këtu sa prej tyre hyjnë në Bit Pazar. Më thanë: zero. Sepse nuk ka mundësi dhe kushte që ata të hyjnë me dinjitet dhe ta kalojnë pazarin ashtu siç kalojnë në Çarshi”, u shpreh Osmani.
Në fund, ai paralajmëroi një qasje të përbashkët me të gjitha palët e interesuara. “Do të krijojmë një këshill së bashku me kompaninë që e menaxhon tregun dhe me tregtarët, në mënyrë që të merret një vendim serioz, të bëhet një plan dhe pastaj të mos devijohet nga ai plan. Ky është premtimi im para qytetarëve: Bit Pazarit do t’i kthejmë ndriçimin, rendin dhe do ta bëjmë qendër turistike, atraktive për secilin turist që vjen në qytetin tonë”, deklaroi Osmani.