Nga Agron Shaqiri
Mos nxirr kokën në dritare bir se nuk dua të ma shohësh këtë Vendin Tim. Këtë tokën time. Nuk dua të ma shohësh kështu siç është bërë. Siç e kemi bërë ne. Tek po erret nga dita në ditë në një dhimbje që s’ka kufij. Ku rrugët e ftohta s’të çojnë kërrkund.
Lerma mua atë.Ta fsheh.Ta largoj në ato cepat më të fshehtë e më të largët të mendjes sime e të zemrës. Që i njoh veç unë. E ta mbaj kështu larg teje, ashtu siç është. Ashtu siç nuk e desha të ishte, por është i imi. Kështu munda ta ndërtoj unë atë. Kaq munda të bëj.
Nuk do ta lë vetem. Mos u tremb. E mos u merakos ti shpirti im. Do ta mbaj ngrohtë. Më beso. Ti se di. E s’ke se si ta dish. Por ne kemi një lidhje që se shkëput njeri mbi këtë tokë. E as një forcë tjetër.
E dua edhe kur ka halle të mëdha dhe shpina e lodhur s’ja mban dot. Bile e dua më shumë atëherë. Mos u habit nga kjo. Kjo duket një dashuri pa kuptim. E di. Por kur pati ndonjëherë kuptim dashuria.
Bir, a po e sheh se na mbyti mizerja. Mashtrimi dhe dhuna. Jemi më të keqkuptuarit e kohërave. Na morën urtësinë e mençur dhe na përkthyen për budallallëk. Kush, ca kopuk e mashtrues. Ca që fshehin veten pas armëve dhe mungesën e guximit pas plumbave. Pas plumbave që vrasin kriminelët më të çuditshëm që kjo botë ka njohur, e këta janë më të varfërit e këtij vendi.
Të varfër që prishin rendin e gjërave. Po të cilave gjëra, të gjërave që shëmtojnë dhe ç’nderojnë Vendin Tim. A e di biri im se këtu në Vendin Tim, në Vendin Tonë familjet e këputura ushqehen më keq se “Qeni i Sharrit” i familjarevë të udhëheqësve. A e di biri im se këtu të rinjtë s’kanë asnjë perspektivë për jetën. Jua sterrosin të ardhmen. Që s’duket kërrkund. E di biri im se këtu mësuesit e dinë të vërtetën dhe s’kanë fuqi tua thonë fëmijëve. Ata e dinë , biri im dhe rinë me shprit ndër dhëmb, e me dhëmb të shtrënguar.
Mundohen me lot që s’rrjedhin dhe psherëtima që s’shpërthejnë tua ndjellin dashurinë për këtë vend. Për bukurinë e tij. Që s’është. Për perspektivën e tij. Që s’vjen akoma. Për ëndrrën e tij. Që mbeti veç ëndërr. Gjithmonë.Ku dhimbja të këput në mes. E s’duan të të lënë as të qash. Sepse kanë frikë nga lotët. Sepse një njeri që qan është një njeri që ndjen. E një njeri që ndjen është një njeri që guxon, bir.
Bir, a po e sheh se lëngon ky Vendthi Ynë. Po e kalbin si kurrë ndonjëherë. Po kush se? Ata që duhej ta shëronin. A po e sheh se jemi një shoqëri në ethe. Që lëkundet mes të ardhmes dhe të shkuarës. Mes urtësisë së pamjes dhe zjarrmisë së shpirtit.
Të thash, pra, mos e nxirr kokën në dritare bir, se nuk dua të ma shohësh kështu Vendin Tim, Vendin Tonë. Si mbi një parvaz pusi. E mbi të gjitha mos mi shih sytë me lot bir. Si të kam thënë “Burrat e këtij dheu nuk qajnë!”.