Bekim Qoku
Heqja dorë nga një ëndërr rëndom të bën të korruptueshëm
Kur Gruevski pa se sa vështirë është të ndërtosh një komb të ri, hoqi dorë u korruptua bashkë me familjen e tij dhe iku si një qyqar.
Kur Katica, kryeprokurorja speciale e pa që në këtë shtet nuk mund të vihet drejtësi, sado e pabesueshme të duket, edhe për shkak të dukjes së saj si grua e çiltër fshati, si një mjelëse kooperative lopësh e padreqnume, nuk rezisotoi – u korruptua edhe ajo.
Kur Xhevdeti pa se të bësh një gazetë shumë të mirë do punë, përkushtim, ideal, hoqi dorë nga ëndrra dhe e bëri gazetën partall, pastaj e ktheu në portal, punësoi gazetarë mercenarë, hoqi ata profesional, filloi me shantazhe e rekete, u korruptua deri në skandal.
Kur Saliu pa se s’ka takat të demokratizojë e ç’komunizojë Shqipërinë, ta bëjë si gjithë Europa, u korruptua dhe bëri fëmijët dhe Lulin.
Kur Rama pa se Rilindja do këllqe, sakrificë, sublimitet, bëri Taulantin e Lali Erin e u korruptua si mos ma keq dhe fundi nuk i dihet ende.
Kur Thaçi e Ramushi, shtetformimin nuk e menduan se do kaq mund, çiltërsi, drejtësi, mençuri u korruptuan deri në palcë sa s’ka më kthim prapa.
Kur Ali Ahmeti pa se bashkimi i trojeve shqiptare të Maqedonisë me Shqipëri e Kosovë është punë e gjatë e e rëndë, dogji sakrificën e 2001shit, braktisi ëndrrën e idenë e të rënëve, u korruptua, u fëlliq dhe ndoti gjithë ambientin politik rreth tij e më larg.
Kur partia BESA (s’e mora vesh kurrë pse fjala shkruhet me shkronja të mëdha si një akronim) pa se ridifinimi dhe deetnizimi i një shteti, shoqërie etj. është rrugë e gjatë, e lodhshme, se vetëm Erdogani si aleat nuk është i mjaftueshëm për këtë ëndërr, u alternuan, u de-idealizuan e u korruptuan.
Kur Socialdemokratët e rinj të Kaqushe Jasharit u lodhën e vunë re se nuk janë bërë të mbajnë frymën gjatë, se ideali i një shoqërie të mirë e të drejtë kërkon heqje dorë pafund nga lezetet hedoniste, nga kënaqësitë mondane, nga jahtat e lokalet e vogla e të mëdha, nga makinat e pushimet e shtrenjta, u korruptuan e ç’ke me të.
Prandaj duhet ta kuptojmë Lëvizjën Vetëvendosje!, ta çmojmë mundin e sakrificën e saj, e njerëzve e liderit të saj, t’i japim një dorë, ta ndihmojmë, se vetëm aty jeton ende ëndrra e një shoqërie shqiptare ideale.