Saturday, August 23, 2025
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionBekim Adili: Britma e zemrës të një prindi për humbjen e dy...

Bekim Adili: Britma e zemrës të një prindi për humbjen e dy gjimnazisteve tona. Një tragjedi që mbuloi Kërçovën në zi

🗣Britma e zemrës të një prindi për humbjen e dy gjimnazisteve tona. Një tragjedi që mbuloi Kërçovën në zi⚫️

I shtrënguar nga dhimbja e thellë për humbjen tragjike të dy vajzave tona, si gazetar dhe si qytetar i Kërçovës, ndihem i detyruar të flas, ti jap zë kësaj dhimbje e dhjetra tjerave humbje që kanë lënë pas tragjedit e ngjashme. Humbjet e shpeshta të fëmijëve dhe të rinjve tanë në trafik gjatë viteve të fundit, na e kanë kthyer jetën në një ankth të vazhdueshëm. Çdo dalje jashtë, çdo udhëtim, çdo kthim derisa vijn fëmijët në shtëpi, është i mbushur me pasiguri dhe frikë. Këto tragjedi nuk po ndodhin një herë në shumë vite, por po përsëriten në mënyrë të dhimbshme e periodike. Shpesh nuk kalon as një vit i plotë, e ne sërish përballemi me lajmin e hidhur se një jetë e re është shuar në rrugët tona. Megjithatë, ajo që duhet të na shqetësoj më shumë përball këtij fenomeni është heshtja jonë. Ku sa më shumë kemi heshtur ndaj kësaj plage, sikur ju kemi hapë rrugë tragjedive të reja. E sa më shumë do heshtim përball fenomeneve për të cilat duhet të ngrejm zërin, kam frikën se edhe më shpesh do të përsëriten ngjarje të hidhura. Andaj edhe vendosa të flas me britma që dalin nga zemra e një prindi që është duke rritur fëmijë. E, që po përjetojë dhimbjen e thell prindërore nga këto ngjarje që na humbin sensin e jetës për ta jetuar. Pra, sot nuk shkruaj vetëm si gazetar, por si një prind. Si një njeri që e di sa e brishtë është jeta e një fëmije dhe sa e rëndë mund të jetë dhimbja e ikjes së tyre nga jeta jonë. Humbja e Albinës dhe Erionës, dy vajzave të reja, nxënëse të gjimnazit “Drita” në Kërçovë, është një plagë që më dhemb edhe mua, edhe ty dhe çdo prindi që i lexon këto vargje. Ku, në qytetin tonë të vogël, statistikat për humbjen e jetëve nga të rinjtë në aksidente, gjatë viteve të fundit janë kthyer në shifra të frikshme. Prandaj sot, kur dy vajza të tjera nuk do të kthehen më në bankat e shkollës, ndjej se çdo heshtje nga ne të rriturit është një mungesë përgjegjësie ndaj brezit që po rritet. Në këtë rast, si prind pyes veten dhe të gjithë juve, përse heshtim në veçanti gjatë stinës së verës dhe lejojmë që fëmijët 10 apo 12 vjeç të drejtojnë motorra, trotineta elektrik e makina të ndryshme, ku vetëm ajo që quhet mrekulli nuk kthen çdo aksident në tragjedi. Që do të thotë, ne si familjarë shpesh ndoshta pa e ditur edhe prindrit gabojmë rëndë kur në emër të dashurisë u japim fëmijëve mjete të rrezikshme në duart e tyre të brishta. Ku, duke ju dhënë një liri të shfrenuar, përfundojmë duke rrezikuar jetën e më të shtrenjtëve tanë. Në botën e qytetëruar, kjo gjë është e paimagjinueshme. Atje ligji mbron jetën dhe ndërgjegjja shoqërore nuk e toleron pakujdesinë. Prandaj, le të mos mjaftohemi me lot e heshtje. Le ta kthejm dhimbjen tonë në një zë të fortë. Më 1 shtator 2025, ditën kur fillon shkolla dhe kur në bankat e gjimnazit do të mungojnë Albina dhe Eriona, si në çdo vend të civilizuar, do kisha dëshiruar që të shoh shoqet e tyre, shokët, mësuesët, prindërit dhe gjithë qytetin në një marsh homazhi. Me lule në duar, le të ecim për të thënë: Mjaft më! Jeta e fëmijëve tanë nuk është lojë! Akt i cili nuk do ishte vetëm shprehje e dhimbjes për humbjen e Albinës dhe Erionës. Por do të ishte një marsh për të gjitha ato jetë rinore të humbura në këto vite në aksidente dhe një ndërgjegjësim për çdo fëmijë që ende rritet mes nesh. Për të treguar se ne prindërit, nuk do të heshtim më. Se ne qytetarët, nuk do të tolerojmë më. Se shoqëria jonë do të kërkojë përgjegjësi. Prandaj, si prind ju bëj thirrje institucioneve arsimore që të organizojnë orë të posaçme me nxënësit, ku të flitet se “argëtimi” me motorra, trotineta e duke konsumuar shisha e lëndë tjera të dëmshme për shëndetin, ju sjellin rreziqe për jetën e tyre. Pra, edukimi i hershëm mund të shpëtojë jetë dhe të parandalojë pasoja të rënda. Policisë të kontrolloni lokalet ku qëndrojnë të rinjtë dhe trafikun në komunikacion. E të ndëshkoni me dënimin maksimal shkelësit e rregullave. E jo ti falni, toleranca të cilat pastaj na kthehen në tragjedi. Mediave dhe sektorit civil, pjesë e të cilës jamë edhe unë, që të ngrejm zërin dhe mos lejojm që fenomenet që na sjellin tragjedi të heshten. Ju lus, me zemër të lënduar, që rrjeshtat e këtij artikulli merrni si britma që vijn nga zëri i një prindi. Është lutja ime si njeri, është thirrja ime për ty që më lexon. Sepse fëmijët tanë kanë nevojë për siguri, për kujdes dhe për një të ardhme me perspektiv. Ku përgjegjësia jonë është, që ambiciet e tyre ti kthejm në realitet e jo në arkivole. Sepse çdo jetë e humbur është një ëndërr e shuar, një familje e shkatërruar e një qytet i mbuluar nga zija. Së fundi, me ndjenjën prindrore që buron nga thellësia e shpirtit të lënduar, dua të theksoj se përgjegjësia për fenomenin e aksidenteve është e të gjithëve si shoqëri dhe jo vetëm e prindërve. Ndryshe nga shumë ngjarje të hidhura që ndodhin në magjistrale për shkak të shpejtësisë, Albina dhe Eriona nuk e humbën jetën në aksident, por në një fatkeqësi të ndodhur në rrugën lokale të fshatit Kolibar. Një vend ku lëvizja me shpejtësi as nuk është e mundur. Por, që fati kobëzi gjeti rrugën e saj tragjike për to, duke lënë pas një dhimbje të jashtëzakonshme, që ka lënduar të gjithë Kërçovën. Në këto çaste, është e qartë se dhimbja e thellë që përjetojnë prindërit e të afërmit e Albinës dhe Erjonës, se rrallë fjalë mund të lehtësojë peshën e humbjes të më të shtrenjtave të jetës së tyre. Andaj, më mbetet vetëm të lutem që shpirti i vajzave të dashura të gjejë paqe në parajsë, dhe që Zoti t’ju japë forcë dhe durim familjeve për të përballuar këtë humbje të rëndë. Një dhimbje që e ndjejmë thellësisht të gjithë. Me shpirt të përulur dhe me pikëllim të thellë, ju ngushëllon si vëllau juaj, Bekim Adili🙏🤲🙏

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments