Sot përmes një komunikate Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar lidhur me ngjarjen e mbajtur në Manastir, ku një delegacion i lartë i qeverisë së Serbisë, së bashku me përfaqësues nga qeveria e Mickoskit, për herë të parë, me protokoll shtetëror kanë festuat pushtimin serb të Maqedonisë dhe Serbisë, të quajtur “Fronti i Selanikut.
Kumtesa e plotë e BDI-së, siç vijon:
Bashkimi Demokratik për Integrim e dënon fuqishëm ngjarjen e mbajtur në Manastir, ku për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, një delegacion i lartë shtetëror i Serbisë, i shoqëruar nga përfaqësues të lartë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë zyrtare dhe me protokoll shtetëror festoi pushtimin serb të Maqedonisë dhe Kosovës nën petkun e të ashtuquajturit “Fronti i Selanikut”. Deklaratat skandaloze të ministres serbe të Punës dhe Politikave Sociale, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, se “maqedonasit dhe serbët janë një trung, një rrënjë dhe kanë të ardhme të përbashkët”, janë tregues i qartë se kjo qeveri tash më orientimin e saj strategjik e ka drejtuar kah “bota serbe” dhe jo Europa.
Deklaratat e ministres serbe të Punës dhe Politikave Sociale, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, se “maqedonasit dhe serbët janë një trung, një rrënjë dhe kanë të ardhme të përbashkët”, përbëjnë provokim të hapur historik dhe ndërhyrje flagrante në identitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë së Veriut. Këto mesazhe janë të papranueshme dhe synojnë të relativizojnë realitetin historik, duke cenuar marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin rajonal.
Po aq e papranueshme është edhe prania e përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe e zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq në një aktivitet që cenon drejtpërdrejt orientimin strategjik dhe karakterin multietnik të shtetit tonë.
BDI thekson qartë se projektet nacionaliste të “botës serbe” nuk kanë vend në Maqedoninë e Veriut. E ardhmja e vendit është vetëm në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, duke mbrojtur frymën e Marrëveshjes së Ohrit, barazinë e qytetarëve dhe kohezionin multietnik të shoqërisë sonë.