Ministria e Punëve të brendshme ka arrestuar gjashtë dilerë droge të cilët blinin narkotikët nga Shqipëria, dhe i sillnin për ti shitur në Shkup, Tetovë dhe Veles. Siç njoftoi zëdhënësi i ministrisë Toni Angellovski, tek lokacioni “Strazha”, policia ka ndaluar dy makina. Në makinën Shkoda, janë gjetur dy qese me marihuanë dhe është arrestuar organizatori i transportit të drogës, një 29 vjeçar që ishte i arratisur nga burgu i Idrizovës ku po vuante dënim me 11 vjet burg. Gjatë aksionit janë arrestuar edhe dy përsona në moshë 22 dhe 23 vjeç.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së organizatorit dhe të arrestuarve të tjerë, është gjetur edhe kokainë, plumba, peshore dixhitale dhe tableta ekstazi.
Gjatë bastisjeve edhe në Strugë dhe Ohër, janë kapur edhe tre persona të tjerë që kishin lidhje me grupin e parë. Njëri është 36 vjeçar, tjetri 42 dhe i fundit 62 vjeç.
Por, policia ua ka konfiskuar edhe dy makina nga 3 mijë dhe 4 mijë euro, që janë fituar me paratë e shitjes së drogës.
Ndaj tyre do të ngritet kallëzim penal, pasi të jenë mbledhur gjithë provat e nevojshme.