Aleanca për Shqiptarët
Departamenti i Shëndetësisë
Opinioni në Maqedoninë e Veriut këto ditë është shumë i ngarkuar, por storja e IRL-së rreth keqpërdorimeve dhe profiterëve të pandemisë tronditi dhe habiti çdo qytetar. Derisa numri më i madh i punëtorëve shëndetësor dhanë maksimumin gjatë trajtimit të pacientëve me COVID, duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të familjarëve, persona të fuqishëm e të paprekshëm përfituan në kurriz të tyre dhe popullatës që ndodhet në buzë të varfërisë ekstreme dhe sipas autorëve të dokumentarit keqpërdorën të sëmurët për eksperimente që nuk kanë kaluar nëpër filtrat e institucioneve dhe nuk kanë siguruar leje adekuate.
Aleanca për Shqiptarët përshëndet gazetarët investigues të IRL-së dhe i uron për guximin dhe profesionalizmin, që jep shpresë se kjo degë e gazetarisë në Maqedoninë e Veriut është e gjallë dhe do inkurajoj përpunimin dhe denoncimin të shumë rasteve të ngjajshme në fusha tjera.
Kur të gjithë pritëm që qeveria dhe institucionet përkatëse do të reagojnë furishëm dhe do zbardhin dyshimet e shumë familjarëve se çfar me të vërtetë ka ndodhur në spitalin privat “Zhan Mitrev” në Shkup, ndodhi ajo që e kemi parë dhe dëgjuar nga binomi LSDM-BDI dhe satelitët tyre, heshtje e asnjë reagim partiak dhe formim komisionesh e grupe të punës, që na jep të drejtë të konstatojmë se edhe ky skandal do përjetoj fatin e skandalit të spitalit modular në Tetovë, skandalit të vaksinave, skandalit rreth tragjedive me autobusët në Bullgari dhe Llaskarcë e shumë e shumë të tjera. Më demoralizuese ishin qëndrimet anemike dhe konfuze të ministrit të shëndetësisë në presin e fundit, që habiti dhe tronditi punëtorët shëndetësor, pacientët e mbijetuar dhe familjarët e tyre me tentim për relativizimin e përgjegjësisë të personave të denoncuar.
Pyesim:
Prokurorinë publike: sa do presim për procesimin dhe zbardhjen e këtij skandali?
Qeverinë Zaev 1 dhe 2: në bazë të cilave parametra keni dhënë leje që Maqedonia e Veriut të jetë në grupin e 10 shteteve ku Covidi të trajtohet edhe nëpër spitale private duke e ditur fuqinë finansiare të popullatës?
Ish ministrin Filipçe dhe zëvendësin e tij Hasani, që në emrin e LSDM-së dhe BDI-së të prononcohen dhe të përgjigjen, kush e dha lejen për aplikimin e hemofiltracionit si metod për trajtim të Covid-it e pse nuk u aplikua në spitalet publike, kush e përcaktoi çmimin astronomik të kësaj metode?
Aleanca për Shqiptarët propozon:
Në parlamentin e Maqedonisë së Veriut të përpilohet dhe të votohet ligj për profiterët nga fatkeqësitë e ndryshme,
Pasi formohen komisione, atëherë në to të marrin pjesë specialistë të fushave dhe në afat sa më të shpejtë kohor të përgatitet raport rreth trajtimit me këtë metodë,
Të gjithë të involvuarit të dalin para opinionit dhe të përgjigjen në të gjitha pyetjet dhe dilemat para atyre që i kanë votuar dhe finansuar, qytetarët dhe të njëjtit të paraburgosen që mos arratisen dhe të ndikojnë mbi dëshmitarët,
Ministria e shëndetësisë të sigurojë mjete që të njëjtat t’ju kthehen familjarëve të dëmtuar në kët skandal të paparë dhe
Prokuroria publike të veprojë ne bazë të faktetve dhe denoncimeve dhe të mos lejohet që edhe ky skandal të përjetoj fatin e skandaleve tjera se me “Gjak të pistë” kurrë nuk do realizojmë integrimet tona në botën normale.
Bekim Tateshi – Departamenti për Shëndetësi në ASH