Krahu i Aleancës për Shqiptarët me në krye Arben Taravarin, ministër aktual i Shëndetësisë, sot do të mbajë Kryesinë qendrore ku do të vendoset për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme lokale. Taravari dje deklaroi se nuk është e vërtetë se janë duke negociuar me BDI-në dhe se si subjekt politik në zgjedhjet e ardhshme lokale i kanë dy opsione – njëra është të vazhdojnë në kuadër të koalicionit VLEN dhe tjetra të braktisin koalicionin dhe të dalin të vetëm.
Në Kryesinë qendrore të partisë, siç tha ai, do të dalin me qëndrim se si do të veprohet më tej. Partia, siç thekson ai, është duke bërë analiza dhe anketa të caktuara që tregojnë se në komuna të caktuara do të kishin rezultate të mira edhe sikur të shkonin të vetëm.
“Kështu që zgjedhja është mes këtyre dy opsioneve. Nuk ka opsion të tretë”, u përgjigj Taravari sot në pyetjen e gazetarëve lidhur me kërkesën e liderëve të partive në kuadër të koalicionit VLEN të zgjedhë anë.
Në Kryesinë qendrore të partisë, siç tha ai, dëshiron të dëgjojë qëndrimet para se të sillet vendim.
“Qendra analitike e ASH-së ka bërë disa anketa, do t’i prezantojë dhe do të duhet të sjellim vendim të përbashkët se si të dilet”, shton Taravari dhe sqaroi se qëndrojnë mirë në Gostivar, Vrapçisht, Bogovinë, Tearcë, Saraj, Likovë…
Nuk mendojmë se do të fitojmë, megjithatë mendojmë se mund të bëjmë rezultat të mirë, megjithatë, le të shohim. Në fund, qytetarët vendosin, theksoi Taravari.
Koalicioni VLEN të premten mbajti takim në Shkup në të cilin liderët e një pjese të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, Besës së Bilall Kasamit dhe Alternativës, Zeqiria Ibrahimi biseduan për gjendjen brenda koalicionit dhe për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Bekim Qoku të premten deklaroi se takimi i liderëve ishte në frymë miqësore dhe kolektive. Ai potencoi se koalicioni vazhdon bashkërisht, ndërsa mbetet të dakordohen vetëm hollësitë për listat për kryetarë të komunave dhe këshilltarë në komuna para zgjedhjeve lokale.
“Biseduam për zgjedhjet e ardhshme, për takimet e ardhshme. Ishte në frymë mjaft miqësore dhe kolektive. Hollësisht do të bisedojmë për atë në cilat komuna do të dalim së bashku. Kështu që, ky ishte edhe një takim pozitiv, në frymën e bashkëpunimit, Absolutisht, ne jemi bashkë, vazhdojmë bashkërisht dhe mbetet të bisedohet vetëm për hollësitë dhe për atë se si do të ndahen komunat. Nuk dakordohemi në mënyrën më të mirë, por, tek çdo subjekt politik kjo ndodhë, edhe individualisht tek partitë”, tha Qoku.