Arinjtë në rrugët e Dibrës, gjuetarët paralajmërojnë: “Mos vraponi, ariu është më i shpejtë! Ja çka duhet të bëni”

0
101

*Shoqata e gjuetarëve “Stogovo” nga Dibra, në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, ka lëshuar një paralajmërim për shtim të dukshëm të shfaqjes së kafshëve të egra në zonat urbane dhe rurale, përfshirë arinjtë, derrat e egër dhe ujqërit.

Kjo dukuri është veçanërisht e theksuar gjatë muajve të vjeshtës, kur kafshët e egra, sidomos arinjtë, kërkojnë më shumë ushqim për t’u përgatitur për dimër. Para disa ditësh, banorët e Dibrës janë përballur me një ari të rritur që është parë në bulevardin kryesor të qytetit, njofton TS.

Për fat të mirë, nuk ka pasur të lënduar, por shoqata paralajmëron se raste të tilla paraqesin rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve.

Gjuetarët këshillojnë që në rast takimi me ariun, të mos vrapohet, pasi ai është shumë më i shpejtë se njeriu, të mos provokohet dhe të mos i afroheni për fotografi apo video. Po ashtu, nuk duhet ushqyer, sepse do të kthehet përsëri.

Këshillohet të qëndrohet i qetë dhe të tërhiqeni ngadalë, pa bërë lëvizje të papritura dhe pa e parë drejt në sy. Nëse ariu është në distancë, mund të bëni zhurmë – si duartrokitje ose të flisni me zë normal – në mënyrë që ai të largohet.

Në rast rreziku, qytetarët këshillohen të kontaktojnë menjëherë policinë, shërbimin pyjor ose komunën.

Sipas shoqatës “Stogovo”, shfaqjet e kafshëve të egra në qytete dhe fshatra janë më të shpeshta në vjeshtë, dhe Dibra mbetet një nga rajonet më të prekura nga ky fenomen.