Arben Fetai: Miliona për manastire, arsen për Likovën – kjo është BDI
Zëvendëskryeministri dhe një nga liderët e VLEN-it, Arben Fetai, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Likovës, Erkan Arifi, duke e quajtur hipokrizi të pastër paraqitjen e tij si “patriot i madh”.
“Kur ishin në pushtet, shokët e Erkan Arifit dhe ministrat e BDI-së ndanin fonde buxhetore për manastirin e Mateçit, ndërsa në kuadër të Ballkanit të Hapur e shisnin shqiptarinë. Në vitin 2020, BDI dha 300 mijë denarë nga paratë tona për restaurim të këtij manastiri; 1 milion më 2021; dhe 1.5 milion më 2023. Pra, sa ishin në pushtet, as kisha, as festat fetare të mbajtura çdo vit në të njëjtin vend, madje edhe menjëherë pas luftës nuk u pengonin. Përkundrazi, ata i financonin nga buxheti, ndërsa vizitonin manastire të tjera krah Vuçiçit, duke bërë thirrje për pajtim shqiptaro-serb kur nënat kosovare ende i kërkojnë bijtë e tyre të masakruar nga Serbia”, ka shkruar Fetai në rrjetet sociale.
Ai shtoi se Erkan Arifi ka heshtur për problemet reale të komunës.
“Kur banorët e Likovës pinin ujë të helmuar me arsen, Erkan Arifi nuk shqetësohej. Kur bërllogu i komunës u zbrazej te pragu i derës banorëve të Nikushtakut, ai sërish nuk shqetësohej. Kur mungonin rrugët, uji i pijshëm dhe kopshtet për fëmijë, ai prapë se prapë heshtte. Tani, papritmas, nga opozita, na zgjohet si ‘patriot i madh’ dhe shpallet mbrojtës i shqiptarëve”.
Fetai shkroi se e vetmja gjë që ka ndryshuar është se pushteti dhe privilegjet u kanë ikur nga duart në nivel qendror dhe po u ikin edhe në komuna. Ai theksoi se banorët e Likovës e dinë mirë kush i helmoi, kush i poshtëroi dhe kush i përdori për tenderë e pasuri personale. Për të, kjo që po bën BDI-ja nuk është patriotizëm, por demagogji dhe panik i një partie të kapur që shet çdo gjë vetëm për pushtet.