Arben Fetai: Fitorja e Izetit, Bashkimit dhe Muhamedit do të rrezatojë në çdo komunë në Qytetin e Shkupit
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai tha sonte se si qeverisje VLEN kanë investuar në këto 15 muaj si asnjëherë më parë. Në Shutkë, tha ai janë investuar 3 milionë euro, nga gjithsej 82 milionë euro investime në komunat me shumicë shqiptare, krejt këto nga koalicioni VLEN.
“Qeveria jonë padyshim do të jetë 4 vjeçare edhe ajo do të përcillet me një mandat tjetër dhe koalicioni VLEN është më i fuqishëm se kurrë, gëzon besim sepse e kemi dëshmuar me vepra, me punë dhe u dalim zot premtimeve tona”, tha Fetai, gjatë hapjes së Shtabit në Shuto Orizare.
Ai ka vetëm fjalë të mëdha për bashkëpartiakët dhe kandidatët për kryetarë komunash nga VLEN.
“Fitorja e Izetit, fitorja e Bashkimit në Qytetin e Shkupit, ajo e Muhamedit në Saraj do të rrezatojnë në çdo komunë në Qytetin e Shkupit”, shtoi Fetai.
Ai tha si janë realizuar më shumë punësime se sa BDI në cilindo vit të qeverisjes së tyre.
“2 mijë punësime të shqiptarëve në sektorin publik, qindra avancime. Nuk ka dhe do të ketë më shqiptarë që do të punojnë në pozitën fyese të bashkëpunëtorit të ri për dekada me radhë, duke iu mohuar kualifikimi profesional apo përvoja e punës”, tha zëvendëskryeministri Arben Fetai