Hulumtimet e bëra më herët, kanë sugjeruar që konsumimi i matur i alkoolit mund të ketë efekte mbrojtëse kundër goditjeve në tru dhe në zemër, transmeton Gazeta Express.
Një studim i bërë së fundmi nga një grup hulumtuesish ne Kinë ka hedhur poshtë këtë teori. Dihet që konsumimi i alkoolit mund të ketë ndikim në shëndetin e njeriut në shumë mënyra, mirëpo hulumtues të ndryshëm kanë pasur teori të ndryshme në lidhje më këtë çështje.
Një studim i ri, i zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe atij i Pekinjit në Kinë tregon që pirja jo e shpeshtë e alkoolit nuk mbron organizmin nga çrregullimet kardiovaskulare, por e rrit këtë rrezik. Ky studim u publikua në revistën ‘The Lancet’, dhe është i bazuar në analizën e informacioneve të 500.000 personave në Kinë.
Hulumtuesit zgjedhën të fokusohen në studimin e informacioneve në popullsinë e Kinës sepse personat nga Azia Jugore, kanë një sindromë specifike dhe përjetojnë një eksperiencë të ‘skuqjes së fytyrës’ kur pijnë alkool. Këtë, studiuesit e shpjegojnë me faktin se kur njerëzit me këtë sindromë pijnë alkool, sistemi i organizmit të tyre është i paaftë të zbërthejë disa nga komponentët e tij, për shkak të disa çrregullimeve gjenetike.
Analizimi i informacioneve gjenetike te këto persona, ishte i nevojshëm për të studiuar efektet e alkoolit në organizmin e njeriut. Përpos këtyre informacioneve gjenetike, u analizuan edhe shprehitë e konsumimit të alkoolit.
Përderisa në shumicën e popullsisë, meshkujt konsumojnë alkool 20 herë më shumë se femrat, ata rrjedhimisht janë më të rrezikuar nga këto çrregullime.
Sipas këtij studimi, pirja e alkoolit edhe pse në sasi të vogël, mund ta rrisë rrezikun e goditjeve 35% për çdo katër gota në ditë.