Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ejup Alimi nëpërmjet “Facebook” pyet pse u ndërpre para kohe puna e komisionit kuvendar për marrjen e imunitetit të Trajko Veljanoskit.
Alimi sqaron se mbrëmë rreth orës 19:00, pas qëndrimit dy ditor në punimet e komisionit mbi kërkesën e gjykatës për heqjen e imunitetit të deputetit Veljanoski, deputetit Agim Shaqiri, iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe përfundoi në qendrën klinike të Shkupit.
Ai shton se rreth orës 21:00 kanë kërkuar zëvendësen e Agimit për ta zëvendësuar.
“Dërguam vozitës që ta merr zëvendës anëtarin dhe ta sjell për votim, por rreth orës 21:30, komisioni ndërpreu punën dhe e vuri në votim vendimin pa pritur ardhjen e deputetes tonë, e cila do të arrinte diku rreth orës 22:00 ose 22:30, ndërsa afat kohor për ta përfunduar seancën kishte gjer në mesnatë”, thotë Alimi.
Ndërkaq, votimi i djeshëm ishte me 4 vota “për” dhe 4 “kundër” që i mundësoi Veljanoskit ta ketë ende imunitetin e deputetit. Veljanoski bashkërisht me Mile Janakieskin dhe Spiro Ristovskin dyshohen për ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit 2017.