Aleanca Kombëtare për Integrim: “Sot ranë maskat – Mendi Qyra është kandidati i VMRO-DPMNE-së”

0
62

Aleanca Kombëtare për Integrim: “Sot ranë maskat – Mendi Qyra është kandidati i VMRO-DPMNE-së”

Aleanca Kombëtare për Integrim ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilësoi, “mashtrimit politik të shekullit” në Strugë, duke theksuar se kandidati për kryetar komune, Mendi Qyra, nuk është aspak i pavarur, por është i varur politikisht nga VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Hristijan Mickovski.

Në fjalimin e mbajtur në konferencë, përfaqësuesit e Aleancës Kombëtare për Integrim deklaruan:

“Sot ranë maskat përfundimisht. Mendi Qyra, ashtu siç kemi thënë që në fillim të fushatës, është kandidati më i varur që ka pasur ndonjëherë Struga. Ai është i varur direkt nga VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickovski, si dhe nga vartësit e tyre nga ‘Vleni’, të cilët nuk kanë guximin të përballen vetë në garë politike në Strugë.”

Sipas deklaratës, marrëveshja mes Qyrës dhe Mickovskit është bërë tashmë e dukshme publikisht, duke rrëzuar çdo pretendim për “pavarësi”.

“Zoti Qyra vet tha: nëse gjeni një ‘M’ nga marrëveshja, tërhiqem nga gara. Sot pamë shumë ‘M’, bashkë me Mickovskin. Të gjithë e panë të vërtetën në shesh,” u theksua në konferencë.

Aleanca Kombëtare për Integrim akuzon qeverinë dhe kryeministrin për abuzim me fondet publike në promovimin e kandidatit Qyra, duke e cilësuar këtë si shkelje të ligjit dhe përdorim të buxhetit për qëllime elektorale.

“Tatimet nuk janë të Mickovskit, por të qytetarëve. Promovimi i Mendi Qyrës me paratë tona është i dënueshëm me ligj. Ftojmë Prokurorinë që të hapë procedurë ndaj Kryeministrit,” theksohet në reagimin zyrtar.

Në të njëjtën kohë, Aleanca u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe vendore të mbikëqyrjes së zgjedhjeve:

“Ftojmë OSBE-ODIHR dhe Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit që të marrin masat e duhura. Larg duart e ndyra nga Struga!”

Në fund të deklaratës, Aleanca Kombëtare për Integrim u ka bërë thirrje qytetarëve të Strugës që më 2 nëntor të votojnë për ndershmërinë, guximin dhe transparencën që, siç u tha, përfaqësohen nga kandidati Dr. Arsim Dalipi.

“Mos lejoni që mashtrimi të përfaqësojë Strugën. Zgjidhni të vërtetën, nderin dhe të mirën për qytetin tonë.”