Fisniku, 30-vjeçar nga fshati Tatesh i Epërm në Strugë, është shembull i përkushtimit dhe ambicies së një bujku të ri. Ai u kthye nga Gjermania për t’iu përkushtuar bujqësisë dhe sot punon mbi 30 hektarë tokë, ku përveç kulturave të ndryshme ka mbjellë edhe arra.
Së fundmi ka marrë në shfrytëzim edhe 3 hektarë përmes Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa këtë vit ka përfituar nga programet IPARD mjete moderne në vlerë mbi 1.8 milionë denarë.
Në fermën e tij, ku rrit lopë, dhen, pula, gjela deti, zogj e guska, Fisniku dëshmon se bujqësia nuk është vetëm traditë, por edhe një mundësi zhvillimi për të rinjtë që zgjedhin të investojnë në vendin e tyre.