Kur mbrëmë rash të flija, kalimthi më kaloj ndër mend mendimi “A do të zgjohem nesër”, por shpresa më beri vetvetiu të vendosja alarmin e zgjimit në celular. Dhe sot u zgjova . Hapa sytë dhe vura re, që unë shikoj . Ndërsa pak e përtuar vendosa të ngrihem nga krevati dhe tek po ecja, arrita të kuptoj, që unë kisha këmbë, këmbë që vërtet ecin . Ende e përgjumur i afrohem banjos në të cilën hapa çezmën e ujit, por ç’të shihja prej saj rridhte uj i bollshëm . Pasi lava mirë fytyrën shkova të haja mëngjes dhe kur hapa derën e frigoriferit ngela e befasuar, aty kishte ushqim të mjaftueshëm, ndoshta dhe të bollshëm . Pasi hëngra mëngjes, mora nënën time në telefon dhe ajo më tha, që jo vetëm jeton, por madje ka një shëndet shumë të mirë . Më pas vendosa të bëj një shëtitje dhe u habita, që mushkritë mu mbushën me ajër të pastër, por ajo që më habiti më tepër është fakti, që bota ka diell, po po diell…diell të madh e të shndritshëm . Pas shëtitjes u ktheva në shtëpi dhe menjëherë u ndërgjegjësova, që e kam një të tillë, e cila ka një çati për të më mbrojtur nga shiu dhe dëbora. Për të mos harruar ngrohjen me sistem kaldaje, që të largon nga i ftohti i acartë i dimrit . Në darkë, kur errësira mbuloi Tokën, preka çelsin dhe nuk keni për ta besuar…u ndez drita. Shtëpia u ndriçua porsi ditën. Unë kisha dritë . E ndërsa rash sërish të flija, unë vendosa alarmin e zgjimit për ditën e nesërme, duke rishpresuar…po po, unë arrij të shpresoj pa fund . E shikoni sa lajme të mira kam unë ? Dhe lajmi më i mirë është, që unë nuk kam bërë kurrë mjaftueshëm për t’i merituar gjithë këto lajme të mira. Por i vetmi lajm akoma më i mirë është, se në çdo pjesë të ditës unë falenderoj të Madhin Zot për gjithçka që më dhuron. Madje e falenderoj, që më ka dhuruar mundësinë dhe dijen, që ta falenderoj . Jo çdo kush e ka këtë mundësi dhe dije . E falenderoj, që çdo falenderim ndaj Tij më bën të jem e ndërgjegjshme për pasuritë, që kam…më bën të jem e lumtur .
Natën e mirë dhe mos harroni të vendosni alarmin e zgjimit për ditën e ardhshme, dmth mos harroni të shpresoni !!
Albiona Ajdari nga Struga për Struga Ekspres.