Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në 105 vjetorin e saj.
Ka shkruar në mënyrën e vet rrëfimin e kësaj ngjarje që i copëtoi trojet shqiptare. Ka kërkuar që të mos përsëritet një veprim i tillë, tash kur në Kosovë krerët e shtetit kanë nisur të përmendin togfjalëshin “kompromise të dhimbshme”.
“Në këtë 105 vjetor të Konferencës së Londrës, është koha që ta ndryshojmë këtë tipar problematik të politikëbërjes sonë. Një politikë e vëmendshme ndaj nevojave aktuale e historike të popullit tonë, një politikë bashkëpunuese me intelektualët e moralshëm kombëtarë, që të mos përballemi në të ardhmen me vendime si ato të Konferencës së Londrës, ku vendet tona i ndajnë e i shqepin pa na marrë parasysh”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë deklarimin e Kurtit:
Sot, kur nëpër media lexojmë se si pushtetarë të lartë po merren vesh për ‘kompromise të dhimbshme’, nuk mund të mos kujtojmë historinë tonë. Para 105 vitesh, në 29 korrik 1913, u përmbyll Konferenca e Ambasadorëve në Londrër. Gjatë asaj konference fuqitë e mëdha u morën vesh ta ndanin pjesën ballkanase të Perandorisë Otomane mes Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi, dhe njëkohësisht caktoi kufijtë e Shqipërisë duke lënë jashtë saj gjysmën e trojeve të banuara nga shqiptarët dhe rreth 40% të popullsisë shqiptare.
Sekretari i punëve te jashtme të Britanisë së Madhe, liberali Edward Grey i cili drejtoi punimet e Konferencës së Londrës, kur i raportoi parlamentit britanik u shpreh se ishte i vetëdijshëm se kushdo që do t’i shihte kufijtë në të ardhmen, do të ishte kritik ndaj tyre. Ai e përmbylli raportimin për Shqipërinë duke thënë: “Duhet mbajtur në mend se në bërjen e kësaj marrëveshje, rëndësi kryesore pati ruajtja e mirëkuptimit mes vetë Fuqive të Mëdha, e nëse marrëveshja mbi Shqipërinë e arrin këtë, atëherë ka bërë punën më të rëndësishme në interes të paqes në Evropë”. Me të tillë lehtësi të padurueshme ai justifikoi gjymtimin e Shqipërisë dhe kalvarin e gjatë ku po hynin shqiptarët, vecc për të arritur paqen në Evropë. Për ironi të fatit, po i njëjti E. Grey, një vit më vonë raportonte para parlamentit britanik se “dritat po shuheshin” dhe se po fillonte Lufta e Parë botërore. Paqja pa drejtësi, nuk është e mundur!
Traktati i Londrës, nënshkruar më 30 maj 1913, përmbledh rezultatet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila u mblodh në dhjetor 1912 për të trajtuar çështjen e Shqipërisë që kishte shpallur pavarësinë pak ditë më parë, si dhe për të ndarë territoret e pushtuara nga fituesit e Luftës së Parë Ballkanike. Kjo konferencë u quajt “e paqes”, megjithatë para se ajo të përfundonte kishte nisur tashmë Lufta e Dytë Ballkanike, e pak pas përfundimit të saj nisi Lufta e Parë Botërore.
Serbia, Bullgaria, Greqia e Mali i Zi e kishin fituar pavarësinë e tyre kohë më përpara, dhe kishin ndërtuar kapacitete shtetërore, diplomatike e ushtarake. Ato ndihmoheshin nga Rusia, Franca e Britania. Ndërsa shqiptarët ishin vonuar shumë, duke shpresuar tek një perandori e sëmurë dhe pa të ardhme, siç qe ajo otomane. Kur Shqipëria shpalli pavarësinë, në atë shpallje u përfaqësuan katër vilajetet me shumicë të popullsisë shqiptare, mirëpo pjesa më e madhe e këtij territori tashmë ishte pushtuar nga forcat ballkanike. Synimi i këtyre forcave ishte marrja e kryeqyteteve të vilajeteve, që shteti i ri shqiptar të mbetej pa qendra ekonomike dhe infrastrukturore. Kështu, Janinës ia mësyu Greqia; Shkodrës, Mali i Zi; Shkupit, Serbia; Manastirit, Bullgaria e Serbia; dhe Selanikut, ku po ashtu kishte popullsi të madhe shqiptare, Bullgaria e Greqia.
Në konferencën e Londrës shqiptarët ishin të papërfaqësuar. Nga fuqitë e mëdha, Austro-Hungaria kishte shprehur interesin e saj për të mos lejuar ekspansionin serb në Adriatik, e po ashtu Italia kishte shprehur interesat e veta në bregun lindor të Adriatikut. Kjo bëri të mundur që, së paku në breg të Adriatikut e deri në luginë të Drinit të Zi, të pranohej një shtet i cunguar shqiptar. Prej kryeqyteteve të vilajeteve, këtij shteti iu kthye vetëm njëri, Shkodra, edhe ajo e cunguar prej kufijve që e shkëpusnin nga hinterlandi i vet ekonomik.
Vonesat e mëdha historike dhe paaftësia politike për të gjetur gjuhën e përbashkët në të mirë të kombit, për pak sa nuk i la shqiptarët pa shtet, e në fund i la me një shtet sa gjysma e territorit ku ata ishin shumicë dërrmuese. Historia nuk fal, dhe rendja e politikanëve shqiptarë pas suksesit dhe pushtetit personal në perandori, e la të varfër e në mëshirë të fatit atdheun e tyre. Populli ka qenë në lartësinë e situatës, sepse shqiptarët e thjeshtë kanë luftuar për të ruajtur trojet e veta, edhe gjatë shekullit XIX edhe gjatë fillimit të atij XX, mirëpo përfaqësuesit e tyre kanë qenë të përçarë, pikë e pesë, të paguar prej fuqive të ndryshme, e gjithnjë përbuzës ndaj intelektualëve rilindas. Kjo ndarje e pushtetarëve shqiptarë prej popullit, bashkë me përbuzjen e tyre për inteligjencën e moralshme kombëtare, vazhdoi të jetë karakteristikë e organizimit tonë politik e shoqëror.
Në këtë 105 vjetor të Konferencës së Londrës, është koha që ta ndryshojmë këtë tipar problematik të politikëbërjes sonë. Një politikë e vëmendshme ndaj nevojave aktuale e historike të popullit tonë, një politikë bashkëpunuese me intelektualët e moralshëm kombëtarë, që të mos përballemi në të ardhmen me vendime si ato të Konferencës së Londrës, ku vendet tona i ndajnë e i shqepin pa na marrë parasysh.