Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nuk do të ulet në tryezë negociatash me partnerin e tij qeveritar Zoran Zaevin për Ligjin e gjuhëve, bën të ditur një funksionar i kësaj partie për portalin Plusinfo.
Sipas kësaj siç shkruan portali në gjuhën maqedonase, nuk do të ketë takim liderësh mes Ahmetit dhe Zaevit për të nxjerrë situatën nga qorrsokaku që ka përfshirë Kuvendin. Funksionari i BDI-së ka theksuar se Zaev për të gjetur zgjidhje për Ligjin duhet të ulet me liderin e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski dhe jo me Ahmetin.
“Ligji për gjuhët është çështje e mbyllur për BDI-në që nga formimi i Qeverisë. Ky ligj është shtylla e qeverisjes. Ai do të miratohet shumë shpejt me përkrahjen e LSDM, për shkak se marrëveshja është arritur gjatë formimit të Qeverisë. Nuk ka ndryshim të pozicioneve tona”, theksoi funksionari i BDI-së. Sipas tij, pa këtë ligj nuk do të kishte marrëveshje për bashkëqeverisje.