24 vjet më parë, shqiptarë e maqedonas ia shtrinë dorën njëri tjetrit për të ndërtuar një Maqedoni të re, të barabartë dhe të integruar në NATO e në BE, nëpërmjet të Marrëveshjes paqësore të Ohrit, të garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij me rastin e 24-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ahmeti tha se bashkë ndryshuam kushtetutën dhe miratuan pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe rregullimin e zbatimit të gjuhës shqipe, flamurin kombëtar, arsimin sipëror, përfaqësimin e drejtë dhe shumë ligje të tjera.
Deklarata e plotë:
24 vjet më parë, shqiptarë e maqedonas ia shtrinë dorën njëri tjetrit për të ndërtuar një Maqedoni të re, të barabartë dhe të integruar në NATO e në BE, nëpërmjet të Marrëveshjes paqësore të Ohrit, të garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, porositi lideri i BDI-së Ali Ahmeti në fjalimin me rastin e 24 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që MIA e transmeton në formë integrale.
Bashkë ndryshuam kushtetutën dhe miratuam pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe rregullimin e zbatimit të gjuhës shqipe, flamurin kombëtar, arsimin sipëror, përfaqësimin e drejtë dhe shumë ligje të tjera.
Ndërtuam universitete, shkolla, çerdhe, spitale, koridorin 8, infrastrukturë rrugore e nëntokësore, institucione të reja arsimore, kulturore e identitare, rrënuam kufinjtë midis nesh.
Ndër vite, drejtuam Kuvendin dhe të gjitha ministritë duke kulminuar me pozitën e premtuar dhe të realizuar të Kryeministrit të parë shqiptar.
Kontributi jonë në shtet rezultoi me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, anëtarësim në NATO dhe nisje të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Nga të gjitha këto dhe shumë të tjera, fitoi shteti jonë i përbashkët dhe nuk humbi askush.
Të gjitha të arriturat në 24 vitet e kaluara i bëmë bashkë, edhe me VMRO-në edhe me LSDM-në, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë.
Këto të arritura janë vet shteti, janë themeli i stabilitetit, sigurisë dhe ardhmërisë së vendit tonë.
Prandaj, revizion i të arriturave të përbashkëta nuk na lejohet neve që jemi autorë, firmëtarë dhe zbatues të Marrëveshjes së Ohrit.
Ne duhet të prijmë me përgjegjësinë e burrështetasve, si parti shtetformuese, pa kalkulime afat-shkurtëra dhe të rrezikshme populiste e zgjedhore.
Ndërsa, atyre që nga ekranet televizive e mësuan historinë, që s’kanë asnjë kontribut në të arriturat dhe proceset kombëtare, e që asnjëherë nuk e fituan besimin e popullit, por u përzgjodhën nga tjetri për t’ia bërë hyzmetin të keqës, ju them që:
Trimëria pas luftës e urtësia pas kuvendit nuk VLEN.
Vëllezër e motra,
Me e njoftë veten është urti, me e qeverisë veten, është trimni.
Prandaj, kur hapet dera, rritet ndera.
Ne po bëhemi bashkë, si asnjëherë më parë, të zënë pas rrënjësh e jo pas degësh, jo hyzmeçar e qiraxhi, por krenarë e të përkushtuar për ti dal Zot kushtrimit popullor për dinjitet kombëtar, o sot o kurrë!
Të bëhemi bashkë, të gjithë, i madh e i vogël, burra e gra, që çerek shekulli i Marrëveshjes së Ohrit të na gjejë ballë-lartë si dje e jo të përkulur, nënçmuar e të përbuzur si sot!