Agron Tufa, Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) ka kërkuar azil politik në Zvicër, për shkak të kërcënimeve që ka marrë. Exit News ka konfirmuar lajmin.
Në shtator të 2019, një person i panjohur kërcënoi Zotin Tufa dhe avokatin e tij Kujtim Cakrani përmes një mesazhi në Facebook:
“Ju ballista e fashista, që sot bëheni avoketër dhe kërkoni të mbroni sojin tuaj, që nxin luftën e hedh baltë dëshmorëve, jeni ata të djeshmit, që duheshit vrarë, të mos mbinit ju e që keni marrë zemër sot. S’ka avokat në botë të fshijë gjakun e tyre dhe të mbrojë atë Institut kriminel me Agron Tufë e të tjerë se ju jeni më të poshtër se armiqtë që mbroni…
dhuro
Ju dhe familjarët tuaj ballistë e fashistë nuk do keni vend më tek ne, se e shkruat vetë fundin tuaj. Si dolët avash nga llumi, si pa kuptuar, ashtu do t’ju heqim dhe ne avash të mëdhenj e të vegjël, se ka qenë gabim i madh që për ju pati mëshirë. Të gjithëve gropa ju pret!”.
Rreth 6 muaj më parë, deputetë socialistë e cilësuan punën e Institutit “baltë mbi dëshmorët” dhe kërkuan largimin e drejtorit Agron Tufa. Në muajin korrik, socialistët kufizuan me ligj periudhën kohore të studimeve që mund të kryejë ISKPK.
Drejtori Tufa gjatë kësaj kohe ka patur përplasje, sidomos me deputetët socialistë, ndërsa ka mbështetur padinë ndaj ish-komandantit të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, i akuzuar për dhunë sistematike ndaj ish-të burgosurve.