Lindim Etemi-(Struga Ekspres)
A na duan ne politikanët e Maqedonisë?
Në Maqedoninë e Veriut, fjala “politikan” rrallëherë zgjon respekt. Në vend të kësaj, për shumë qytetarë ajo ngjall pakënaqësi, mosbesim, apo edhe përçmim. Kjo nuk është rastësi. Është një ndjenjë që është ndërtuar me vite, duke u ushqyer nga përvoja të hidhura, premtime boshe dhe një realitet social që ndryshon pak, pavarësisht se kush është në pushtet.
Shumë politikanë në vend kanë ndërtuar karrierën mbi premtime që kurrë nuk u mbajtën. Në fushata premtojnë punësim, drejtësi, zhvillim ekonomik, integrim evropian. Por pasi zënë kolltukët e pushtetit, zërat e tyre zbuten dhe prioritetet duket se ndryshojnë. Interesi publik zëvendësohet nga interesa partiake, klientelizmi, apo ndarja e pushtetit mes “tonëve” dhe “atyre”.
Korrupsioni, real apo i perceptuar, është bërë thuajse normalitet. Kur drejtësia është selektive, kur të fuqishmit nuk japin llogari, dhe kur qytetarët e zakonshëm ndihen të padëgjuar, atëherë nuk është çudi që zhgënjimi shndërrohet në përçmim.
Në këtë mjedis, nuk mungojnë as skenat teatrale: politikanë që shahen në Kuvend, bëjnë deklarata dramatike nëpër televizione apo inskenojnë afërsi me popullin nëpër rrugë. Por qytetarët i kanë parë këto më parë. Janë lodhur. Satira dhe humori politik janë kthyer në mënyrën më efikase për të shprehur revoltën – ndoshta sepse të qeshurit është më lehtë se të shpresuarit.
Nuk është se qytetarët nuk duan të besojnë. Por janë zhgënjyer shumë herë për ta bërë këtë me lehtësi. Prandaj, pyetja e vërtetë nuk është pse nuk i duam politikanët, por a na duan ata neve? Sepse nëse na dusn vërtet, atëherë duhet ta tregojnë me vepra, jo vetëm me fjalë para zgjedhjeve.
Deri atëherë, politika në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë të jetë një fushë ku të paktë janë ata që hyjnë për ideal, dhe të shumtë ata që dalin të pasuruar – ndërsa populli mbetet i varfëruar, jo vetëm ekonomikisht, por edhe në besim.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)