Nga Abdulla Mehmeti
Asgjë e re, pavarësisht se cila parti politike e shqiptarëve do të fitojë numër më të madh të mandateve të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë Veriore.
Skena politike në këtë shtet ende dominohet nga dy koalicionet e partive politike maqedonase, LSDM dhe VMRO, në radhët e të cilave janë të përfshira edhe dhjetëra parti politike të bashkësive etnike më të vogla: turke, rome, serbe, vllehe, boshnjake dhe të tjera. Këto dy kolaicione, pavarësisht se cili është në pushtet, kanë koordinim të shkëlqyr mes vete kur janë pyetje të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe avancimi i të drejtave kombëtare të tyre.Nëse edhe në zgjedhjet e 12 prillit do të fitojë më tepër mandate deputetësh partia e shqiptarëve BDI, e cila ka qenë në pushtet gjatë dy dekadave të fundit, asgjë e re nuk do të ndodhë me të drejtat dhe fatin e shqiptarëve në këtë shtet.Nëse në këto zgjedhje do të fitojnë partitë tjera të shqiptarëve, pavarësisht nga numri i përgjithshëm i mandateve të fituara të deputetëve, ato kurrë nuk mund të bëhen bashkë, si bllok i partive opozitare të shqiptarëve, prandaj edhe vështirë mund të jenë partner serioz në formimin e qeverisë së ardhshme. Kështu e ndarë, segmentuar dhe fragmentarizuar, opozita shqiptare mund edhe të përfshihet në qeverinë e ardhshme, por e përçarë dhe hendikepur, pa asnjë fuqi vendimmarrëse, duke vazhduar t’ua mbajë ison blloqeve të partive politike maqedonase dhe pushtetit, pavarësisht nga qasja e tij ndaj shqiptarëve.
Cilido prej koalicioneve të partive maqedonase dhe nacionaliteteve të vogla, LSDM apo VMRO, që do ta formojë qeverinë e radhës, partive të shqiptarëve mund t’u ofrojë ndonjë vend ministri, zëvendësministri, drejtori, ambasadori; t’u mundësojë të vendosin për çështje të punësimit të ushtarëve të tyre partiakë, ndonjë mundësi për vetëkënaqësi dhe vetëmjaftim, zhvatjen e të mirave materiale dhe financiare përmes ndonjë tenderi me karakter lokal, por asnjëherë nuk do t’u lejojë partive shqiptare të forcohen në atë nivel sa të kërkojnë ndryshimin e konceptit unitar të shtetit, të ligjeve diskriminuese ndaj shqiptarëve, apo të Kushtetutës me të cilën shqiptarët trajtohen pakicë kombëtare dhe jo popull shtetformues.
Kreatorët e kësaj loje të madhe politike në dëm të popullit shqiptar do të ndjehen triumfues edhe kësaj radhe, sepse faktori politik shqiptar në këtë shtet nuk është unik, nuk mban përgjegjësi dhe nuk jep llogari para askujt për dështimet, as para qytetarëve dhe votuesve të tij, siç nuk ka dhënë deri më sot.
Përderisa nuk ndryshohet Kodi zgjedhor për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, nuk pastrohen listat e zgjedhësve dhe nuk reformohen partitë politike të shqiptarëve, atë që nuk mund ta arrijnë të vetme, ta arrijnë së bashku, asgjë të re për shqiptarët në Maqedoni nuk do të sjellin as zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 12 prillit 2020 dhe as ciklet zgjedhore të radhës.
Zgjedhjet janë afër dhe dështimi i faktorit politik më afër, i pashmangshëm edhe kësaj radhe, nëse me kohë nuk ndërmerren masa të nevojshme për parandalimi kësaj katastrofe kombëtare.
Asgjë e re nuk mund të ndodhë me elemente të vjetra; as dimri vjen me borën e dimrit të kaluar, as pranvera me lulet e pranverës së mëparshme, kështu edhe gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk mund të ndryshojë me aktorë të vjetër në skenën politike.
Bota ndyshon, ndryshojnë edhe rrethanat, me këtë gjithçka duhet të përtëritet dhe rinohet me kohën. Për t’u ndryshuar gjendja e popullit shqiptar në Maqedoni duhet patjetër të ndryshohet shumëçka në skenën politike të këtij vendi, me koncept dhe strategji të re, me lojtarë të ri. Ekipet humbëse të zëvendësohen me njerëz dhe ekipe të reja fitimtare, që të fitojnë shqiptarët, jo bandat partiake të korruptuara dhe nëntoka kriminale.