Kreu i Partisë Demokratike Shqiptarë është i gatshëm të bëjë koalicion paszgjedhor me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë, por që kjo të bëhet realitet Menduh Thaçi ka dy kushte. “Kushti i parë është që BDI-ja të mos jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme dhe kushti i dytë është që kryetari i PDSH-së të jetë zëvendëskryeministër dhe të ketë vetëm një zëvendëskryeministër”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. I pyetur për kërkesat e Thaçit, nënkryetari i LSDM-së Muhamed Zekri i tha TV21 se partia e tij mbetet e hapur për të biseduar me të gjitha partitë, me përjashtim të BDI-së, sepse siç thekson, ajo ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhje. “Nuk mund të bisedohet me dikë që ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhje! Për momentin është herët dhe ende nuk kemi filluar çfarëdo qoftë bisedimesh me asnjë parti dhe nuk ka asgjë konkrete në drejtim të koalicionimeve të mundshme. Deklaratën e kreut të PDSH e shohim si pozicionim te tyre para bisedimeve eventuale për ndonjë bashkëpunim të mundshëm parazgjedhor”, u shpreh Muhamed Zekiri nga LSDM. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, duke komentuar kushtin e Menduh Thaçit ndaj LSDM-së, tha për TV21 se “politikat e BDI-së bazohen mbi kontratën e bërë me qytetarin shqiptar si burim i vetëm i legjitimitetit e jo mbi intrigat politike prapa shpinës së qytetarëve”./TV21