Ndonëse lista prej 19 ambasadorëve ende nuk ka arritur në Vodno, presidenti Stevo Pendarovski tha se i di emrat dhe se mbi 90% e kandidatëve janë diplomatë karriere. Presidenti nuk është i sigurt nëse të gjithë kandidatët do të arrijnë të shkojnë ambasadorë para zgjedhjeve të 12 prillit.
Afrohen zgjedhjet, më 3 janar vjen Qeveria teknike. Megjithatë datë shumë e rëndësishme është data e shpërbërjes së Kuvendit, që mendoj se do të jetë më 11 ose 12 shkurt. Pas kësaj date nuk mund as të punësoni, as të avansoni cilindo zyrtar në administratën shtetërore e jo më të dërgoni ambasadorë. Pra është një përcaktues kohor. Çfarë do të përfundojë deri në atë moment, do të përfundojë, kush do të shkojë, do të shkojë- deklaroi Stevo Pendarovski.
Jozyrtarisht ndër propozimet që u miratuan nga Qeveria janë: Rami Rexhepi për ambasador në Romë, Shpresa Jusufi në Prishtinë, Shaban Jashari në Katar, Beti Jaçeva në Hagë, Vasko Gërkov në Beograd, Sashko Todorovski në Strazburg, Misho Dokmanoviq në Tel Aviv, Danço Markoviç në Tiranë, Milaim Fetai në Zagreb, Faton Bejta në Kopenhagë, Dane Talevski ambasador në NATO. Sa i përket ambasadorit në SHBA, ekzekutivi pa vendim. Edhepse Teuta Arifi u përfol si kandidate për ambasadore në Uashington, kryeministri Zaev sot tha se Arifi nuk do të lëvizë nga Tetova dhe se si mike që e ka, tha se do ta ndihmojë me projekte në Komunë.
Anesa Salihu