Aleanca për Shqiptarët ka reaguar përmes një komunikate ndaj ngjarjeve të fundit në Ohër, ku ka qënë i përfshirë këshilltari i BDI-së, Nefi Useini.
Nga ASH akuzojnë se institucionet e shtetit janë të kapura nga partnerët e koalicionit qeveritar dhe drejtësia selektive.
“Kohëve të fundit nëpër mediume dëgjuam disa herë për bazën e betonit “NEFI INVEST” që gjendet në afërsi të liqenit të Ohrit e që është ndërtim pa leje. Nefi Useini filloi ta ndërtojë bazën e betonit para pesë muajve, pa dokumentacion të nevojshëm, pa leje për ndërtim dhe pa leje ekologjike. Hapësira e gjelbër në afërsi të liqenit të Ohrit u shndërrua në kantier ndërtimi. Ndërtimi i objekteve në këtë zonë është rreptësishtë e përcaktuar, kurse vetë zona është e mbrojtur nga UNESCO-ja që d.m.th. se ndërtimi i këtij lloji të objekteve që mund të shkaktojnë probleme ekologjike është rreptësishtë i ndaluar. Jo zyrtarisht, parcela në të cilën u ndërtua baza e betonit është në pronësi të Bashkësisë Islame” – shkruajnë nga Aleanca për Shqiptarët, transmeton in7.
Nga kjo parti nuk lanë pa përmendur rastin e ndërtimit që thuhet të jetë pa leje, në qendër të Ohrit dhe ku pronar del të jetë pikërisht këshilltari Useini. Sipas tyre, edhe pse ka vendim për prishje të objektit dhe kushte për ngritje të padisë penale, institucionet dhe kryetari i Ohrit po e ruajnë të njëjtin. Ata përmendin disa projekte dhe tendera të fituar nga kompania e Nefi Useinit, duke theksuar se kjo kompani është e privilegjuar nga institucionet.
“Nefi Useini është këshilltar në Këshillin e Komunës se Ohrit nga radhët e BDI-së. Në të njëjtën kohe nga ndërmarrjet me të cilët udhëheq qyteti i Ohrit, kompania e tij “NEFI IK” fiton tenderë me shuma të larta. Për dy vite, nga ndërmarrjet e komunës ka fituar 8 tenderë me vlerë mbi 225.000 Euro. Kompania e tij “NEfi IK” ka firmosur 5 kontrata me NP “Ohridski Komunalec”, 2 kontrata me NP “Varrezat e qytetit” dhe 1 kontrate me NP “Niskogradba Ohrid”. Kompania e tij “NEFI IK” e mirëmban edhe deponinë Bukovo, e cila para disa javëve u dogj. Mirëmbajtjen e deponisë e ka siguruar me tender nga NP ”Ohridski komunalec” e që kap vlerë mbi 47.000 Euro. Dhe se fundmi, sikur kjo të mos mjaftonte, dje i njëjti person, Nefi Hyseini sulmon fizikisht dhe kërcënon me vdekje profesorin ljaz Iljazi I cili rastin e ka paraqitur ne polici.
Ky është sulmi i tretë brenda disa muajve ku merr pjesë Nefi Useini. Ai në prill sulmoi inspektorin nga Shkupi, I cili kishte shkuar në Ohër të bëjë inspektimin e ndërtimit pa leje të Këshilltarit të Komunës së Ohrit. Në qershor, Useini e sulmoi fizikisht kolegun e tij nga këshilli, Xhelal Mena.
Institucionet heshtin. Komuna hesht për uzurpimet dhe kyçjet pa leje. Gjithë heshtin dhe shtiren gjoja se nuk ka ndodhur asgjë. Gojën e kane plot fjalë për zbatimin e të drejtës por avazi i vjetër vazhdon. Kur bëhet fjale për të fortit e BDI-së atëherë mund të përdoret vetëm argumenti i dhunës dhe kurrkujt kurrgjë, për disa dite do te harrohet gjithçka. Aleanca për Shqiptarët fton organet kompetente të marrin masat e duhura komfor ligjit. Aleanca për Shqiptarët fton policinë që të vepron kundër ushtrimin të dhunës ndaj personave të pafajshëm të cilët në mënyrë të rregullt paraqesin padrejtësi dhe uzurpime të paligjshme e si shpërblim sulmohen fizikisht dhe kërcënohen për vdekje.
Aleanca për Shqiptarët fton organet Komunale të Komunës së Ohrit të mos heshtin por edhe ato të veprojnë sipas kompetencave duke zbatuar ligjin për shërbime komunale dhe ligjin për ndërtim.
Mjaft më me banditizma dhe mbrojtje të sherifëve lokal me çdo kusht. Në këtë shtet është momenti i fundit që ligji dhe rregullat të zbatohet për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë” – përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët.