Rekonstruimi i kabinetit qeveritar Zaev 2 në Republikën e Maqedonisë së Veriut duket se po sjellë shumë risi në këtë vend pasi që edhe përkundër paralajmërimeve se do ndryshojë shumë ministra, kryeministri maqedonas shkarkoi disa e emëroi disa të tjerë që ishin shumë pak në numër, mirëpo veten e përzgjodhi të propozohet edhe për ministër të financave.
Por, si duket ky propozim hasi në pengesa pasi që Agjencioni për antikorupsion solli vendim që kryeministri i vendit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe ministër i financave.
Por, deri më tani nuk dihet taktika e kryeministrit Zaev se si do të luajë këtë lojë nëse do të vazhdojë të mbajë të dy pozitat dhe në anën tjetër të delegojë kompetencat tek zëvendës ministri i financave, por një gjë dihet se për momentin këtë dikaster e drejton një shqiptare.
Shiret Elezi, doktor i shkencave të ekonomisë aktualisht është zëvendës ministre e financave në qeverinë e Zaevit e cila për momentin luan edhe rolin e të parit në këtë dikaster shumë të rëndësishëm të vendit, e pasi që qeveria e Maqedonisë ka vetëm nga një zëvendës ministër në secilën ministri, i bie që gjithë kompetencat e kryeministrit të kalojnë tek zëvendës ministrja Elezi.