Qeveria e Serbisë ka miratuar Ligjin e ri të Kujdesit Shëndetësor, me anë të të cilit ka legjitimuar ryshfetin që mjekët marrin nga pacientët për të kryer një operacion. Sipas këtij akti, ryshfeti do të konsiderohet si dhuratë dhe e cila mund të shkoj deri në 462 euro.
Ligji i ri i miratuar më datën 3 prill ua lejon mjekëve që të pranojnë dhurata nga pacientët apo familjarët e tyre. Këto dhurata nuk duhet të kalojnë pagën mesatare neto e cila është 462 euro, shkruan politika.rs.
Këto dhurata nuk do të trajtohen më si korrupsion, por megjithatë mjekëve u është ndaluar të kërkojnë këto dhurata.
Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se për këtë akt ligjor është pajtuar me Agjencinë Kundër Korrupsionit. Kjo ka hasur në kundërshtime të ashpëra për shkak se qytetarët serbë paguajnë tatime sigurimin shëndetësor dhe kjo do t’i detyrojë të paguajnë edhe dhurata.
Poashtu me këtë ligj është shkelur parimi i universalitetit për qasjen në kujdesin shëndetësor. “Nuk është e qartë sesa dhurata të tilla prje 500 eurosh do të marrin mjekët çdo muaj”, ka deklaruar Darsko Karadjinoviq nga Shoqata e Mjekëve Kundër Korrupsionit.
Në anën tjetër kryetari i Shoqatës së Mjekëve Privat të Serbisë, Dr. Viselav Hadzi Tanoviq, konsideron se në shoqërinë serbe ekziston një mendim që mjekëve duhet t’iu jepen dhurata simbolike. “Edhe kur shkojnë tek një mjek privat, pacientët i dërgojnë një shishe pije ose tufë lulesh”, ka deklaruar ai.
Kodi Penal i Serbisë parasheh dënim me burg tre muaj deri në 12 vjet për mjekët që kanë marr ryshfet.