Profesoresha, Besa Arifi do të jetë këshilltare për punët ligjore të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Arifi gjatë fushatës në zgjedhjet parlamentare ka dalur hapur duke mbrojtur politikat e LSDM-së ku në Tetovë edhe kishte fjalim në tubimin e organizuar nga LSDM-ja ku ishte edhe rektori i UEJL-së Abdylmenaf Bexheti. Nuk dihet nëse rektori i UEJL-së do të emërohet në ndonjë post pasi janë figura që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut për LSDM-në.
Ndryshe Presidenti Stevo Pendarovski, e kompletoi përbërjen e kabinetit të tij, Sekretar i përgjithshëm do të jetë Mile Boshnjakovski, i cili deri tani e ka ushtruar funksionin zëdhënës i Qeverisë, ndërsa shefe e protokollit do të jetë Biljana Micevska. Përgjegjëse për marrëdhëniet me opinionin do të jetë Katerina Canevska, ndërsa Biljana Radeva do të jetë pres oficer, informojnë nga kabineti i shefit të shtetit.
Këshilltar i sigurisë kombëtare do të jetë Blerim Kolari, Aleksandar Spasov si konsultant i jashtëm do ta ushtrojë funksionin e këshilltarit për politikë të brendshme dhe të jashtme. Këshilltarë në kabinet do të jenë edhe Toshe Zafirov, Luljeta Ademi dhe Goce Karajanov.
Në sferën e politikës së jashtme, këshilltarë të jashtëm do të jenë ish-shefat e diplomacisë Aleksandar Dimitrov dhe Denko Maleski dhe ish-ambasadori në Austri Sasho Tavçiovski.
Këshilltar të jashtëm për punët ligjore do të jenë edhe profesoresha Besa Arifi dhe ish-gjykatësja në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Marijana Lazarevska Trajkovska.
Nga kabineti thonë se edhe gjatë kohës derisa atje këshilltar ka qenë presidenti aktual Pendarovski ka pasur 37 të punësuar, ndërsa në periudhën kur shefi i shtetit ishte Gjorge Ivanov numri i tyre është rritur në 61. Nuk do të ketë largim nga puna, thonë nga Kabineti.
Presidenti Stevo Pendarovski, thonë nga kabineti, pas përfundimit të mandatit nuk do të kërkojë pension presidencial. Nuk do të kërkojë as mjete për të hapur zyrë, por hapësirë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku do të mbajë takime si ish-president. Ai nuk do të kërkojë as pension, ndërsa pas mandatit do të kthehet në vendin e punës profesor.